Ukraina po e humbet ngadalë luftën kundër Rusisë, tha për Reuters ish-ministri i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, duke paralajmëruar se Kievi ka një dritare për të marrë vendime kyçe të nevojshme për ta kthyer situatën në favor të saj.

Fedorov, një reformator i ri, i cili u shkarkua disa javë më parë duke shkaktuar protesta, deklaroi se Ukrainës i mungon një vizion i përgjithshëm se si ta fitojë konfliktin katërvjeçar. Në një intervistë, ai tha se korrupsioni i rrënjosur, rrjetet e patronazhit, si dhe mungesa e pavarësisë politike në institucionet qeveritare po e lënë vendin mbrapa.

“Mendoj se tani ka një pikë kthese që do të përcaktojë trajektoren tonë të ardhshme, por duket sikur po humbasim gradualisht, ngadalë”, tha Fedorov në një ndryshim të dukshëm nga retorika zyrtare e Kievit.

Ai theksoi rëndësinë e zhvillimit të dronëve autonomë të udhëhequr nga inteligjenca artificiale, raketave interceptuese të lira për të ndaluar sulmet ajrore të Rusisë dhe programin e raketave balistike të Ukrainës për të ndryshuar rrjedhën e luftës.

Prodhuesit ukrainas tashmë po punojnë në këto teknologji, por Fedorov tha se vendit i duhej një strategji e përbashkët për të maksimizuar efektin e tyre pasi të vendoseshin në përdorim. Ai paraqiti një vizion për një vijë fronti të mbuluar nga sensorë elektronikë për të zbuluar armiqtë, me dronë në tokë dhe në ajër për të minimizuar praninë njerëzore.

“Teknologjitë ekzistojnë tashmë të cilat mund t’i ndalojnë plotësisht rusët, por mungesa e vizionit tonë… do të thotë që ne nuk i zbatojmë ato“, tha ai.