Të paktën 17 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë rezultojnë të zhdukur pas përmbytjeve shkatërruese që goditën Nepalin verior dhe pjesë të Tibetit në Kinë. Fatkeqësia ka shkaktuar dëme të mëdha në banesa, rrugë, ura dhe infrastrukturën energjetike.
Sipas autoriteteve nepaleze, përmbytjet u shkaktuan pas një tërmeti që goditi zonën dhe shkaktoi një rrëshqitje masive dheu. Rrëshqitja bllokoi lumin Bhote Koshi, duke sjellë më pas një vërshim të fuqishëm të ujërave.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, tërmeti u regjistrua me magnitudë 4.4 dhe ndodhi në të njëjtën kohë me rrëshqitjen e dheut. Autoritetet kanë paralajmëruar se bilanci i viktimave mund të rritet, ndërsa ekipet e shpëtimit po përballen me kushte të vështira.
Çin devlet medyasına göre, Nepal tarafında meydana gelen devasa toprak kayması Tibet’teki Gyirong Limanı’nı vurdu. Çok sayıda kişinin hayatını kaybettiği ve bazı kişilerin kayıp olduğu bildirildi. pic.twitter.com/tZ4yj0tNWg
— Eskişehir Medya (@eskmedya) August 26, 2026
384 turistë rezultojnë të zhdukur
Në zonat e prekura në Nepal dhe Tibet raportohet për qindra persona të zhdukur. Mes tyre janë edhe 384 turistë, nga të cilët 291 janë shtetas të huaj, përfshirë persona nga India, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Malajzia.
Situata është veçanërisht e rëndë në zonat Syapru Besi dhe Timure, në distriktin malor Rasuwa, ku jetojnë rreth 50 mijë persona. Ujërat e lumit janë rritur ndjeshëm, ndërsa helikopterët e shpëtimit kanë hasur vështirësi për të zbritur në zonat e prekura. Pamjet nga terreni kanë treguar banesa të përmbytura, automjete të marra nga rrjedha e ujit dhe ura të dëmtuara. Disa vendbanime pranë lumit janë shkatërruar plotësisht.
60 punëtorë të zhdukur
Mes personave që rezultojnë të zhdukur janë edhe rreth 60 punëtorë të një projekti hidroelektrik në ndërtim në distriktin Rasuwa. Punëtorët po kryenin punime në një tunel të projektit hidroelektrik Langtang Khola, me kapacitet 20 megavatë, kur përmbytjet shkaktuan dëme të mëdha në zonë.
Përmbytjet kanë prekur gjithashtu sektorin energjetik të Nepalit. Rreth 430 megavatë kapacitet prodhues, kryesisht hidrocentrale, janë dëmtuar ose prekur nga fatkeqësia.
Operacionet e shpëtimit
Ushtria dhe policia nepaleze janë angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa banorëve të zonave të ulëta u është kërkuar të zhvendosen në vende më të sigurta. Në Tibet, rrëshqitjet e dheut kanë dëmtuar rrugët, komunikimin dhe furnizimin me energji elektrike, duke e vështirësuar më tej ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit.
Edhe ekipet e Kryqit të Kuq janë angazhuar në zonat e prekura, duke mobilizuar vullnetarë dhe duke dërguar furnizime humanitare dhe pajisje emergjence. Autoritetet kanë paralajmëruar banorët që jetojnë pranë lumit Bhote Koshi të qëndrojnë në gatishmëri, pasi rreziku për përmbytje të tjera dhe rrëshqitje dheu mbetet i lartë./Dosja.al







