Si duhet të flejë një bebe gjatë natës? Kjo është një nga pyetjet më të rëndësishme për prindërit, ndërsa ekspertët theksojnë rëndësinë e afërsisë me foshnjën, por paralajmërojnë për rreziqet e gjumit në të njëjtin shtrat.

Dr. David R. Samson, profesor i asociuar i antropologjisë evolucionare në Universitetin e Torontos, sjell në vëmendje praktikën e nënave Hadza në Tanzani, për të cilat ideja që një bebe të flejë larg nënës duket thuajse e pakuptimtë.

Në shumë kultura dhe gjatë pjesës më të madhe të historisë njerëzore, foshnjat kanë fjetur pranë kujdestarëve të tyre. Kjo afërsi u mundëson prindërve të reagojnë shpejt kur foshnja zgjohet, ta mbajnë ngrohtë dhe ta mbrojnë gjatë natës.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se afërsia nuk do të thotë domosdoshmërisht ndarje e të njëjtit shtrat.

Sipas rekomandimeve të Akademisë Amerikane të Pediatrisë, foshnjat duhet të flenë në shpinë, mbi një sipërfaqe të fortë, të sheshtë dhe të veçantë. Rekomandohet që ato të jenë në të njëjtën dhomë me prindërit, por jo në të njëjtin shtrat, veçanërisht gjatë muajve të parë të jetës.

Të dhënat e cituara nga Samson tregojnë se gjatë vitit 2024 në Shtetet e Bashkuara u regjistruan rreth 3,400 vdekje foshnjash. Prej tyre, 1,351 u klasifikuan si sindromë e vdekjes së papritur të foshnjës, 1,099 si vdekje me shkak të panjohur dhe 947 si raste të mbytjes aksidental në shtrat.

Rreziku rritet veçanërisht kur foshnja fle në një sipërfaqe të butë, si divan apo kolltuk, ose kur prindi ka konsumuar alkool, ka marrë substanca ose medikamente që shkaktojnë përgjumje, pi duhan apo është shumë i lodhur.

Foshnjat nën katër muaj, ato të lindura para kohe ose me peshë të ulët në lindje konsiderohen veçanërisht të rrezikuara.

Një tjetër faktor që e bën çështjen më komplekse është ushqyerja me gji. Edhe pse gjidhënia lidhet me uljen e rrezikut të vdekjes së papritur të foshnjës, ajo kërkon zgjime dhe kontakte të shpeshta gjatë natës. Për shkak të lodhjes, nëna mund të bjerë në gjumë pa dashje pranë foshnjës.

Pikërisht për këtë arsye, në disa vende rekomandohet edhe qasja e reduktimit të dëmit, duke u dhënë prindërve informacion praktik për minimizimin e rreziqeve në rast se përfundojnë duke ndarë shtratin me foshnjën.

Në Zelandën e Re janë promovuar edhe alternativa që lejojnë afërsinë mes prindit dhe foshnjës, por me një sipërfaqe të veçantë gjumi, si djepi tradicional i popullsisë Maori dhe një lloj shtrati portativ të posaçëm për foshnjat.

Ekspertët theksojnë se qëllimi nuk është të injorohet realiteti i netëve pa gjumë, gjidhënies apo nevoja e foshnjës për afërsi, por të gjendet mënyra më e sigurt për ta garantuar këtë afërsi.

Mesazhi kryesor mbetet i qartë: foshnja pranë prindërve, në të njëjtën dhomë, por në hapësirën e saj të gjumit.