Sipas të dhënave paraprake të Zyrës Federale të Statistikave, çmimet e konsumit u rritën me 2.9% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar në një kohë kur në korrik, inflacioni ishte 2.8%.
Edhe inflacioni bazë, që përjashton çmimet e ushqimeve dhe energjisë, u rrit me 2,4 për qind. Një nga faktorët kryesorë pas rritjes së çmimeve janë kostot e energjisë. Tensionet dhe ndërprerjet në rrugët ndërkombëtare të transportit kanë ndikuar në rritjen e çmimit të naftës, duke prekur drejtpërdrejt konsumatorët në Gjermani.
Ekonomistët paralajmërojnë se, edhe nëse transporti i naftës përmes Ngushticës së Hormuzit rikthehet normalisht dhe çmimet e energjisë bien, inflacioni mund të qëndrojë për një periudhë mbi objektivin prej 2 për qind të Bankës Qendrore Evropiane.
Arsyeja, sipas Jörg Krämer, ekonomisti kryesor i Commerzbank, është se gjithnjë e më shumë kompani janë të detyruara t’ua kalojnë klientëve të tyre rritjen e kostove të energjisë që kanë përjetuar në periudhën e fundit. Presionet mbi çmimet janë veçanërisht të dukshme në pikat e karburantit.
Sipas llogaritjeve të ADAC, një litër benzinë Super E10 kushton mesatarisht 2,153 euro, vetëm rreth pesë cent më pak se rekordi i regjistruar në mars të vitit 2022. Ndërsa një litër naftë kushton mesatarisht 2,202 euro.
Rekordi i çmimit u shënua në prill të këtij viti, kur çmimi arriti në 2,446 euro për litër. Në rritjen e çmimeve të karburanteve po ndikon edhe niveli shumë i ulët i ujit në lumin Rin. Kushtet e vështira po pengojnë transportin lumor, përmes të cilit furnizohen edhe rafineritë, veçanërisht në landin Nordrhein-Westfalen.
Rini është një nga arteriet më të rëndësishme të transportit të brendshëm në Evropë dhe kufizimet në lundrim po shtojnë kostot e furnizimit, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi çmimet.





