Nëse ke kërkuar ndonjëherë “si t’i zvogëloj poret”, dermatologët sqarojnë se madhësinë e tyre nuk mund ta ndryshosh realisht. Poret janë një pjesë normale e lëkurës dhe sa të dukshme janë varet kryesisht nga gjenetika. Ato nuk “hapen” dhe nuk “mbyllen”, por mund të duken më të mëdha kur mbushen me yndyrë, papastërti dhe qeliza të vdekura.

Me fjalë të tjera, qëllimi nuk është t’i zhdukësh, por t’i mbash sa më të pastra dhe lëkurën përreth sa më të lëmuar dhe elastike. Sipas dermatologes Hadley C. King, disa përbërës mund të ndihmojnë që poret të duken më pak të theksuara.

Acidi salicilik: Ky është një nga përbërësit më të dobishëm kur problemi kryesor janë poret e bllokuara dhe pikat e zeza. Acidi salicilik eksfolion sipërfaqen e lëkurës, por arrin edhe të depërtojë brenda poreve, ku ndihmon në largimin e yndyrës së tepërt dhe papastërtive që mund t’i bëjnë ato të duken më të mëdha. Për këtë arsye, mund të jetë i dobishëm për lëkurën me yndyrë ose që ka tendencë të krijojë komedone.

Retinoidet: Me kalimin e moshës, lëkura humbet gradualisht kolagjen dhe elasticitet, ndaj indi rreth poreve mund të bëhet më pak i fortë dhe ato të duken më të dukshme. Retinoidet, përfshirë retinolin, ndihmojnë në përshpejtimin e rinovimit qelizor dhe nxisin prodhimin e kolagjenit. Kjo mund ta bëjë sipërfaqen e lëkurës të duket më e lëmuar dhe, si rezultat, poret më pak të theksuara.

Peptidet: Edhe peptidet mund të luajnë rol në mbështetjen e strukturës së lëkurës. Duke ndihmuar në ruajtjen e kolagjenit dhe elasticitetit, ato mund të përmirësojnë pamjen e zonës përreth poreve.

SPF çdo ditë: Dëmtimi nga dielli është një tjetër arsye pse poret mund të duken më të mëdha me kalimin e kohës. Rrezet UV dëmtojnë kolagjenin dhe elastinën, duke e bërë lëkurën më pak të fortë. Për këtë arsye, përdorimi i përditshëm i një kremi me SPF 30 ose më të lartë dhe mbrojtje me spektër të gjerë është një nga hapat më të rëndësishëm për të ruajtur strukturën e lëkurës.

Acidi hialuronik dhe përbërësit hidratues: Acidi hialuronik dhe acidi poliglutamik nuk zvogëlojnë poret, por tërheqin ujë në lëkurë dhe e bëjnë atë të duket më e hidratuar dhe më e plotë. Kur lëkura është e hidratuar mirë, sipërfaqja e saj duket më e njëtrajtshme dhe poret mund të bien më pak në sy. Hidratimi është edhe më i rëndësishëm nëse në rutinë përdor përbërës që mund ta thajnë lëkurën, si acidi salicilik ose retinoidet.

Pra, sekreti nuk është të kërkosh një produkt që premton se do t’i “mbyllë” poret, sepse një gjë e tillë nuk ndodh . Më shumë rezultat jep një rutinë që pastron poret, mban lëkurën të hidratuar dhe mbron kolagjenin, si për shembull: acid salicilik për bllokimet, retinoide dhe peptide për strukturën e lëkurës, hidratim të mirë dhe SPF çdo ditë.