Pas arrestimit të Joz Markut, kanë dalë detaje të reja lidhur me çështjet për të cilat këngëtari pritet të hetohet. Përveç incidentit me Eduart Kuçin, në vëmendje është vendosur edhe përdorimi i pretenduar i shenjave identifikuese të Policisë.
Në pamjet e publikuara nga përplasja mes Jozit dhe Edit shihej një tabelë “STOP”, e ngjashme me ato që përdoren nga efektivët e Policisë për ndalimin e automjeteve. Deri tani nuk është sqaruar zyrtarisht se kujt i përkiste tabela apo në çfarë mënyre ishte siguruar.
Ndërkohë policia e Tiranës ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me dhunimin e Eduard Kuçit nga Jozefin Marku dhe disa persona të tjerë.
Ndaj këngëtarit rëndojnë 5 vepra penale, ndërsa ky I fundit është shoqëruar sot në polici për të dhënë sqarime në lidhje me rastin.
“Si rezultat i veprimeve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, u ndaluan shtetasit J. M., 30 vjeç, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”, si dhe K. N., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë drejtues i automjetit tip “Land Rover”, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja në jetën private”. Ndërkohë, u shpallën në kërkim shtetasit A. H., 48 vjeç dhe K. V., 27 vjeç”, sqaron policia.





