Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, ka deklaruar se 200 kompani ballkanike mund të prodhojnë municione sipas standardeve të NATO-s.

“Ballkani Perëndimor duhet që të kalojë nga të qenit “përfitues të sigurisë” në kontribues të sigurisë. Prodhimi i municioneve është vetëm një pjesë e tablosë.
Aktualisht, pjesa më e madhe e këtij kapaciteti është e përqendruar në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi.”
, tha Soreca nga tribuna e konferencës për sigurinë.

Kapaciteti vjetor i prodhimit të municioneve në Evropë, tha Soreca, tani është gjashtë herë më i lartë se tre vite më parë. Ai përmendi gjithashtu prokurimin e përbashkët e blerjes së armëve nga Brukseli, si dhe objektivin e BE-së për të siguruar të paktën gjysmën e pajisjeve të mbrojtjes nga furnizuesit në shtete ende jo anëtare, por që janë pjesë e kontinentit të vjetër.

Bosnja dhe Hercegovina ka një nga industritë e mbrojtjes më të zhvilluara të rajonit. Soreca e quajti atë, së bashku me Serbinë, si qendra të prodhimit të municioneve të pajtueshme me NATO-n.

Soreca e vlerësoi mbështetjen e Instrumentit Evropian të Paqes për Ballkanin Perëndimor, që arrin në shifrën e 98 milionë eurove.

Katër shtete të Ballkanit Perëndimor, ndër to edhe Shqipëria, gjithashtu kontribuojnë me trupa ose ekspertë në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së.