Shenjat se gjërat po shkonin keq për CDU-në nisën të bëheshin të dukshme që në orët e pasdites së djeshme.

Rreth orës 16:00, në selinë e partisë të ngritur në hotelin Maritim në Magdeburg, nisën të qarkullonin diskutime për një “puç” të brendshëm politik.

Në të njëjtën kohë, në Berlin u mblodh në mënyrë të jashtëzakonshme Presidiumi i CDU-së, në prani të kancelarit Friedrich Merz.

Mbledhja e këtij organi të lartë të partisë zhvillohet zakonisht të hënën në mëngjes, çka ngriti pyetje mbi informacionet që drejtuesit e CDU-së kishin marrë për rezultatin elektoral.

Kur dolën projeksionet e para, situata u bë e qartë. CDU-ja mori vetëm 18.5 për qind të votave, një rezultat dukshëm më i dobët se parashikimet dhe nën pragun psikologjik të 20 për qindëshit.

Rezultati u konsiderua një goditje e rëndë për partinë, e cila pësoi një rënie dramatike në një prej bastioneve të saj tradicionale.

Në skenën e Magdeburgut, atmosfera ishte e zymtë. Guvernatori në largim i Saksonisë-Anhalt, Sven Schulze, pranoi rezultatin dhe përgëzoi fituesin, Ulrich Siegmund dhe AfD-në.

Deklarata e tij u prit në një sallë të tronditur, ndërsa brenda partisë nisën menjëherë diskutimet për përgjegjësinë politike të humbjes.

Presioni nuk u përqendrua vetëm te Schulze. Në qendër të debatit është kancelari Friedrich Merz dhe aftësia e tij për të vazhduar drejtimin e CDU-së.

Rezultati ka rikthyer edhe një herë debatin mbi humbjen e ndikimit të CDU-së në Gjermaninë Lindore. Rajoni, i cili për dekada ka qenë pjesë e rëndësishme e elektoratit të unionit konservator, është kthyer gradualisht në një bastion të AfD-së, me ngjyrën blu të kësaj force politike që dominon hartën elektorale.

Në këtë debat përmendet edhe trashëgimia politike e Angela Merkelit. Politikat e saj ndaj refugjatëve, veçanërisht gjatë krizës së vitit 2015, konsiderohen nga kritikët si një prej faktorëve që ndryshuan politikën gjermane.

Ndërsa për Merz, kritika kryesore është se ai nuk ka arritur të krijojë një lidhje të fortë me elektoratin e Gjermanisë Lindore.

Analizat paszgjedhore tregojnë se një pjesë e votave të marra nga AfD mund të lidhet me votën e protestës kundër Merz dhe qeverisjes së tij.

Kjo ka bërë që brenda CDU-së të shtrohet një pyetje gjithnjë e më e vështirë: a mund ta përballojë partia vazhdimin e mandatit të Merz si kancelar?

Mbështetja personale për kancelarin është gjithashtu e ulët. Sipas të dhënave të cituara në analizat paszgjedhore, Merz gëzon rreth 15 për qind mbështetje personale, një nivel dukshëm më i ulët edhe krahasuar me ish-kancelarin Olaf Scholz.

Gjatë fushatës në Saksoninë-Anhalt, Merz u përball disa herë me reagime negative nga qytetarët. Në disa takime ai u prit me fishkëllima, ndërsa në Leuna u shoqërua jashtë një ambienti nga forcat e sigurisë mes thirrjeve kundërshtuese.

Zëvendësdrejtori i Bild, Paul Ronzheimer, e artikuloi hapur krizën menjëherë pas rezultatit, duke ngritur pyetjen nëse Merz mund të vazhdojë të drejtojë CDU-në pas kësaj disfate.

Megjithatë, e ardhmja e tij mund të varet edhe nga zgjedhjet e ardhshme rajonale. Brenda CDU-së pritet të vlerësohen rezultatet e zgjedhjeve në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore dhe në Berlin, përpara se të merret ndonjë vendim i madh për drejtimin e partisë.

Kriza, megjithatë, shkon përtej fatit politik të Friedrich Merz. CDU-ja po përballet me presionin në rritje të AfD-së, e cila në nivel kombëtar është disa pikë përpara saj.

Situata bëhet edhe më e ndërlikuar nëse veçohet rezultati i CSU-së bavareze, e cila vazhdon të ruajë një mbështetje të lartë në Bavari.

Pa kontributin e CSU-së, CDU-ja do të kishte një rezultat kombëtar edhe më të dobët, duke e bërë krizën e saj elektorale akoma më të dukshme.

Për CDU-në, partinë që për dekada ka qenë një prej shtyllave kryesore të politikës gjermane dhe evropiane, rezultati është një sinjal alarmi.

Tashmë drejtuesit e saj duhet të vendosin nëse do të ndryshojnë strategjinë, mënyrën e komunikimit me elektoratin dhe, mbi të gjitha, nëse Friedrich Merz mbetet personi i duhur për ta udhëhequr partinë në këtë periudhë të vështirë.