Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” ka shpërndarë një njoftim ku bëhet me dije se edhe tre ditë afat ka mbetur për të aplikuar për tu bërë pjesë e Agjencisë për Media dhe Informim, MIA.
Ai në postim thekson se MIA ka hapur një thirrje për rekrutimin dhe bashkëpunimin me profesionistë, ekspertë, të rinj dhe krijues nga fusha të ndryshme, me qëllim reformimin e komunikimit publik.
Sipas njoftimit zyrtar, thirrja synon të afrojë individë me aftësi dhe ide inovative në media, teknologji, inteligjencë artificiale, video, dizajn dhe analizë të dhënash.
Kandidatët e interesuar mund të aplikojnë në dy forma kryesore: duke u bërë pjesë e strukturave të komunikimit të institucioneve qendrore ose duke propozuar ide e projekte për përmirësimin e komunikimit publik.
Njoftimi i plotë:
EDHE TRE DITË për t’u bërë pjesë e Rrjetit MIA!
Agjencia për Media dhe Informim pranë Kryeministrisë fton profesionistë, të rinj (jo thjesht në moshë po në mendësi:-), ekspertë dhe krijues që të na bashkohen në këtë fazë të re reformimi
Ftesa ka dy mundësi:
PUNO ME NE
Bëhu pjesë e strukturave të komunikimit të institucioneve qendrore.
BASHKËPUNO ME NE
Propozo një ide, projekt apo zgjidhje për përmirësimin e komunikimit publik.
Kërkohen aftësi dhe ide në komunikim, media, teknologji, inteligjencë artificiale, video, dizajn dhe analizë të dhënash.
Nëse je gazetar, krijues, dizajner, programues, ekspert i teknologjisë apo ke qoftë edhe një ide se si mund ta bëjmë komunikimin publik më të mirë, apliko për t’u bërë pjesë e Rrjetit MIA ose bashkëpunëtor i Agjencisë për Media dhe Informim.
Ne kërkojmë talent, energji, ide e mbi të gjitha vullnet për kontribute të reja në komunikimin publik të së nesërmes dhe premtojmë një proces vlerësimi meritokratik të çdo kandidati. Sepse ne duam thjesht më të mirët.
Deri tani kemi marrë një numër surprizë aplikimesh që sapo ka kaluar mbi 100
Apliko në: [email protected]
Afati: 10 shtator 2026, ora 23:00





