E ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, foli për takimet e së premtes me qytetarët dhe nismën “Prania Besnike”, duke u ndalur te mënyra se si kjo platformë synon të ndërtojë një komunikim më të drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe institucioneve.

Mila kundërshtoi argumentin se kjo nismë i largon qytetarët nga procesi, duke thënë se synimi është pikërisht krijimi i një sistemi që i shmang deputetët nga roli i ndërmjetësit për çështje si punësimi.

Ajo solli në vëmendje rastet e qytetarëve që i janë drejtuar, disa herë prindër të cilët, sipas saj, kanë qarë për situatën e fëmijëve të tyre dhe dëshirën për t’i parë ata të punësuar.

“Mua më kanë ardhur raste edhe më parë, jo vetëm nëpërmjet Pranisë Besnike. Për fëmijë më vijnë burra dhe gra, qajnë për fëmijë të jashtëzakonshëm që kanë përfunduar studimet me rezultate shumë të larta, duan të bëhen pjesë e sistemit”, u shpreh deputetja e PS-së.

Ajo tha se në të kaluarën ka referuar qytetarë pranë zyrave të punës, pasi shumë prej tyre nuk kishin informacion për mundësitë e punësimit dhe procedurat që duhet të ndiqnin.

“Sa e sa raste kam pasur unë që kam referuar tek zyra e punës njerëz që nuk e dinin fare ekzistencën, sepse ndodh kjo gjë. Ka një vështirësi në koordinim, ka një vështirësi në komunikim. Nuk është jeta vetëm Tirana, nuk janë vetëm zonat urbane”, tha Mila.

Mila tha se pikërisht përmes këtij sistemi synohet që edhe deputeti të largohet nga roli i ndërmjetësit për punësime dhe të gjitha kërkesat të kalojnë në një mekanizëm transparent.

“Ky sistem bëhet pikërisht për këtë, për ta larguar përgjithmonë edhe deputetin nga marrja e kësaj CV-je nën dorë. Nëpërmjet këtij sistemi është shumë më mirë që të standardizohet kështu”, u shpreh deputetja.

Duke kundërshtuar qëndrimin e analistit Mentor Kikia, Mila argumentoi se deputeti mund ta përcjellë CV-në e qytetarit në sistem, pa ndërhyrë për favorizimin e tij.

“Unë bie në kundërshtim me Mentorin kur ai më thotë: ‘Çfarë pune ke ti të çosh CV-në aty?’. Po, te ky sistemi transparent, te pasqyra, që ta shikojë edhe Erla, ta shikojë edhe Mentori që mua më ka ardhur qytetari dhe ma ka sjellë këtë CV. Unë e dërgoj dhe e çoj atje dhe them: institucionet, kush ka nevojë dhe të hapë vende pune, le ta marrë dhe le ta pyesë këtë zotëri me këtë CV”, tha Sara Mila.