Të paktën 16 persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëshqitjeve të dheut dhe baltës të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut në provincën Jiangxi, në lindje të Kinës, raportuan të enjten mediat shtetërore.

Ngjarja tragjike u regjistrua në Qarkun Suichuan, ku reshjet e pandërprera për disa ditë shkaktuan një sërë fatkeqësish gjeologjike, sipas Agjencisë së Lajmeve Xinhua, e cila iu referua autoriteteve lokale.

Për shkak të situatës së rënduar, autoritetet ndërmorën masa emergjente për evakuimin e banorëve. Deri të mërkurën pasdite, më shumë se 18 mijë persona ishin larguar nga zonat e rrezikuara.

Kjo është fatkeqësia më e fundit në një seri incidentesh të ngjashme të regjistruara në Kinë gjatë muajve të fundit, të nxitura nga reshjet e mëdha dhe kushtet e vështira atmosferike.