Shkaku i shpërthimit në pikën e karburantit ‘Eida’ mëngjesin e një dite më parë në zonën e Brrylit në Tiranë, mbetet ende mister. Hetuesit nuk e kanë ende të qartë se si ka ndodhur ngjarja që tronditi zonën të mërkurën.

Gazetarja Xhensila Kodra raporton se tre punonjësit e karburantit, që u plagosën, janë marrë në pyetje dhe kanë deklaruar se ishin duke furnizuar me gaz një automjet, por nuk dinë se si ndodhi ngjarja.

Sipas tyre, pranë godinës që u shemb ndodhej edhe një bombol gazi, e cila po verifikohet nga hetuesit për të përcaktuar shkaqet.

Pritet të shihet nëse shkaktar ishte mjeti që po furnizohej, një defekt në pompën e furnizimit apo rrjedhje gazi nga bombola.