Seanca në Kuvendin e Kosovës është ndërprerë për shkak të tensioneve dhe përplasjeve me mes LVV-së dhe PDK-së, ku kjo e fundit ka braktisur sallën. Kjo pasi LVV nuk votoi Vlora Çitakun për nënkryetare, e cila ishte një kandidate e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Nga radhët e LVV-së, Ardian Gola u zgjodh nënkryetar. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu kërkoi që PDK të bënte sërish propozim për postin e nënkryetarit, por kjo u kundërshtua nga shumica e deputetëve të saj, të cilët në shenjë revolte braktisë sallën. Të gjithë u larguan përveç Mërgim Lushtakut.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se nga dita e sotme PDK nuk ka arsye të marrë pjesë në seancën plenare, duke shtuar se do ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Më tej, ai tha se nuk do ta respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses për mënyrën e votimit, pasi nuk ka konsensus. Ai kritikoi gjithashtu mos votimin nga ana e LVV -së për Vlora Çitakun, duke shtuar se PDK votoi kandidaten e tyre.
“Nga sot, PDK nuk ka arsye të marrë pjesë në seancën plenare dhe ne do ta dërgojmë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Jemi të sigurt që afatet kushtetuese kanë përfunduar më 7 gusht. Sot nuk po e respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses për mënyrën e votimit, pasi aty thuhet se duhet të ketë konsensus. Nuk ka konsensus. Ne e votuam kandidatin e LVV, por ata nuk e mbështeten kandidaten tonë”, tha kreu i PDK-së, Bedri Hamza, pasi doli nga salla plenare.





