11 vatra zjarri janë regjistruar gjatë ditës së sotme në territorin e Shqipërisë, ndërsa 3 prej tyre vijojnë të jenë aktive, sipas përmbledhjes së Ministrisë së Mbrojtjes.
Në operacione janë angazhuar 119 forca operacionale vendore dhe lokale, 12 automjete zjarrfikëse, si dhe 25 efektivë të Forcave të Armatosura.
Vatrat aktive ndodhen në Gallatë të Kurbinit, ku zjarri vijon në shkurre dhe pisha, por pa rrezik për zonat e banuara; në Librazhd Katund, ku janë angazhuar 5 efektivë të MZSH Librazhd; si dhe në Bularat, Dropull, ku janë angazhuar 10 efektivë të MZSH, 5 forca bashkiake dhe 25 efektivë të FA. Edhe në këto zona nuk raportohen banesa në rrezik.
Në Qarkun Dibër, zjarri në Lundre–Madhesh është shuar, ndërsa vatrat në Cerrujë, Mali i Allushit dhe Selishtë janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Në Qarkun Fier, vatrat në Bitaj, Lushnje dhe Rërës, Patos janë shuar plotësisht.
Ndërkohë në qytetin e Elbasanit janë regjistruar 55 mm reshje shiu, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje të qarkullimit në Bulevardin kryesor dhe në Urën e Shkumbinit, si dhe përmbytje të disa banesave dhe bizneseve në disa zona, përfshirë Lagjen “5 Maji” dhe zonën e ish-NSHU-së.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.





