Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar për problematikën e furnizimit me ujë në Tiranë.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ngre shqetësimin për mungesën e ujit dhe shprehet se qytetarët po detyrohen të blejnë ujë me shishe apo të presin botet që furnizojnë lagjet.

Në postimin e saj, Xhixho e lidh situatën me gjendjen e rrjetit të ujësjellësit dhe investimet në infrastrukturë.

Ajo shtron pyetjen se ku janë investimet për rrjetin, ku shkojnë paratë e qytetarëve dhe pse Tirana ende nuk ka furnizim me ujë 24 orë.

Sipas saj, qytetarët përballen me një kosto shtesë, pasi përveç pagesës së faturës së ujit dhe taksave, duhet të sigurojnë edhe ujë për mbushjen e bidonëve dhe depozitave.

Xhixho e ka kritikuar situatën si një problem të administrimit publik, ndërsa ka përdorur një krahasim mes Tiranës së zhvillimit urban dhe mungesës së furnizimit të rregullt me ujë.

“Tirana meriton ujë 24 orë, jo bote 24 orë!”, shkruan Xhixho në fund të postimit.