Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka zhvilluar një takim koordinues me drejtuesit e strukturave të shërbimit shëndetësor parësor dhe atij spitalor, ku fokusi ka qenë te problematikat që hasin qytetarët dhe nevoja për një prani më të madhe të drejtuesve në terren.

Takimi ka zgjatur 12 orë, ndërsa Spahiu ka kërkuar angazhim të përditshëm për identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve.

Spahiu u ka kërkuar drejtuesve të strukturave shëndetësore që të mos kufizohen vetëm në punën administrative, por të jenë vazhdimisht pranë institucioneve dhe qytetarëve që marrin shërbim.

Sipas ministres, diskutimi i gjatë nuk është i mjaftueshëm nëse problematikat e sistemit nuk ndiqen më pas në terren. Për këtë arsye, ajo ka kërkuar që shqetësimet e qytetarëve të dëgjohen, të kuptohen dhe të shoqërohen me zgjidhje konkrete.

“12 orë diskutim nuk mjaftojnë për të zgjidhur gjithçka që qytetarët presin nga sistemi shëndetësor”, shkroi Spahiu, duke shtuar se çdo orë e kaluar në dëgjimin dhe zgjidhjen e problematikave është një investim për përmirësimin e kujdesit shëndetësor.

Ministrja e lidhi këtë qasje edhe me mënyrën se si qytetarët priten dhe trajtohen në institucionet shëndetësore. Sipas saj, kujdesi shëndetësor nuk lidhet vetëm me shërbimin mjekësor, por edhe me komunikimin me pacientin dhe vëmendjen ndaj shqetësimeve të tij.

Kërkesa për prani të vazhdueshme në terren vjen në ditët e para të Spahiut në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, pas marrjes zyrtare të detyrës. Ajo ka vendosur si një nga prioritetet e para kontaktin më të drejtpërdrejtë me problematikat e sistemit dhe qytetarët që përballen me to.