Kryeministri Edi Rama ka mbërritur këtë të shtunë në Pallatin e Kulturës në Vlorë, ku po zhvillon një takim me strukturat e Partisë Socialiste dhe qytetarët.

Ai shoqërohet nga ministri i Brendshëm, Ervin Demo, bashkëkryetari në komisionin për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, dhe drejtuesi politik i Qarkut Vlorë, Blendi Çuçi. Në fokus të diskutimeve është Reforma Territoriale, si dhe çështje që lidhen me zhvillimin dhe administrimin vendor.

‘Territorialja’ ka qenë ndër çështjet më të diskutuara muajt e fundit.

Në një deklaratë për mediet para pak ditësh, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se është e nevojshme të respektohet afati 60-ditor për konsultimet vendore, sa i takon kësaj reforme kyçe.

“Para se Komisioni i Ligjeve dhe më pas seanca plenare të shprehet, ka një afat që këshillat bashkiakë në konsultim me komunitetet, të përfundojë 60 ditë nga dita e marrjes së njoftimit të projektiligjit që besoj mbaron diku nga data 27 shtator. Do kemi përsëri komunikim më 28 shtator, që është prapë e hënë. Qytetarët kanë mandatuar Kuvendin për të marrë vendime dhe në respekt të këshillave bashkiakë do të presim afatin 60 ditor. Do dal para jush sërish dhe do t’ju them! Ka qenë një proces model për t’u ndjekur gjithmonë”, nënvizoi ai.

Përplasje e protesta ka pasur në jo pak qytete, ku është kundërshtuar propozimi i PS-së për shkrirjen e bashkive në vend, nga 61 në 46. Ky konsolidim territorial, sipas mazhorancës, nuk sjell “zhdukjen” e asnjë bashkie, por çdo qendër e prekur nga ky proces do të ketë përfaqësim institucional përmes nënkryetarit përkatës dhe përfaqësimit në këshillin bashkiak.

Nga ana tjetër, në draftin e Partisë Demokratike propozohet krijimi i 100 bashkive dhe 6 rajoneve, duke parashikuar shtimin e 39 njësive të reja vendore.