Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me një grup nxënësish, fitues të olimpiadave kombëtare dhe ndërkombëtare, duke vlerësuar arritjet e tyre në fushën e arsimit.
Në nisje të takimit, Rama u shpreh se qëllimi i tij ishte t’u përcillte nxënësve mirënjohjen dhe vlerësimin për rezultatet e tyre.
Kryeministri u ndal gjithashtu te rezultatet e fundit të Shqipërisë në testimin ndërkombëtar “PISA 2025”, duke e cilësuar këtë rezultat si një nga frytet e punës për transformimin e sistemit arsimor në vend.
Ai theksoi se ky rezultat nuk është vetëm sukses i nxënësve, por kjo lidhet ngushtësisht dhe me punën që bëjnë mësuesit.
“Jam këtu për t’ju thënë disa fjalë mirënjohjeje, respekti dhe vlerësimi. Pak ditë pasi kemi marrë një lajm, që mua më ka pëlqyer shumë: testi i PISA 2025, i cili për mua personalisht është një fryt shumë i shijshëm i një pune shumë të gjatë, jo të lehtë, me të përpjeta dhe tatëpjeta për të transformuar sistemin tonë arsimor, për të transformuar infrastrukturën e shkollave tona”, tha Rama.





