Euro e ka nisur javën me rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me Lekun dhe ka prekur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 91.8 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Leku vazhdon të thellojë rënien, që ka arritur në 5.1% që nga fillimi i vitit dhe me 5.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Duket se oferta e Euros në treg është e lartë edhe pas përfundimit të pikut të sezonit veror, në periudhën korrik-gusht. Sezoni turistik është zgjatur, i favorizuar edhe nga temperaturat e larta, duke bërë që prurjet valutore nga turistët të rriten.

Ndërkohë, zhvlerësimi i vazhdueshëm i Euros duket se po ul edhe kërkesën për monedhën europiane, të paktën për nevojat e përdorimit në transaksionet e brendshme ekonomike.

Në tërësinë e vet, prurjet e valutës në ekonomnë shqiptare dhe bilanci i pagesave po shfaqin një ecuri më të mirë këtë vit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin 2026, deficiti i llogarisë korrente pësoi rënie, me një vlerë totale prej 361 milionë eurosh ose 40.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Deficiti i llogarisë korrente për 6-mujorin ka shënuar njëkohësisht nivelin më të ulët që prej vitit 2018. Ulja e deficitit ka ardhur kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe nga remitancat.

Bilanci në tregtinë e shërbimeve ishte pozitiv në vlerën e afërsisht 1.79 miliardë eurove, në rritje me 12.9% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar. Më shumë se gjysma e kontributit në sektorin shërbimeve erdhi nga turizmi, që në 6-mujorin e parë të vitit i solli ekonomisë të ardhura neto në vlerën e 957 milionë eurove, në rritje me 20% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.

Efekt shtesë në bilancin e përgjithshëm duket të ketë dhënë edhe rritja e fortë e investimeve të huaja direkte. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e dytë 2026 vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 741 milionë euro, në rritje me 86% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo rritje u ndikua ndjeshëm nga flukse të lidhura me një projekt të rëndësishëm zhvillimi në sektorin e pasurive të paluajtshme. Për të gjithë 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 1.144 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjithashtu, politika e ndjekur nga qeveria shqiptare në vitet e fundit, me suficite të mëdha buxhetore në pjesën dërrmuese të vitit, besohet se po ushtron një ndikim shtesë në forcimin e Lekut. Për 7-mujorin 2026, buxheti ishte në suficit në vlerën e 50.7 miliardë lekëve, në rritje me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Banka e Shqipërisë vazhdon të blejë valutë me qëllim frenimin e ritmit të shpejtë të rënies së kursit të Euros, por këtë vit efektshmëria e ndërhyrjeve të saj ka qenë më e ulët.

Shifrat e ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë janë bërë publike vetëm deri në fund të tremujorit të parë, kur u blenë afërsisht 140 milionë euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

Shifrat e periudhës në vazhdim nuk janë bërë ende publike, por mbështetur në vlerësime të tërthorta analistët e tregut besojnë se blerjet janë rritur më tej krahasuar me të njëjtat periudha të dy viteve të mëparshme. Më herët, në periudhën 2024-2025, Banka Qendrore pati tërhequr më shumë se dy miliardë euro nga tregu, në përpjekjet e saj për ta ngadalësuar forcimin e monedhës vendase. /MONITOR