Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, shprehu besim se NATO mund ta mposhtte shpejt Rusinë nëse Moska sulmonte aleancën euro atlantike, duke argumentuar se Evropa ka “epërsi dërrmuese” në fuqinë ajrore.
“Nëse Rusia na sulmon dhe ne heqim dorezat, mendoj se do ta mposhtim mjaft shpejt. Ne kemi epërsi dërrmuese ndaj Rusisë në fuqinë ajrore.”, tha ai gjatë një diskutimi në Samitin vjetor të Strategjisë Evropiane të Jaltës në Kiev.
“Edhe pa Shtetet e Bashkuara, epërsia mbetet dërrmuese. Dhe nuk kam kontrolluar kohët e fundit se sa F-35, sa JASSM dhe sa aftësi të tjera për sulme të thella kemi”, shtoi ai.
Ai krahasoi gjithashtu potencialin e Evropës për sulme kundër infrastrukturës energjetike ruse me fushatën e vazhdueshme ukrainase kundër rafinerive ruse.
“Nëse ukrainasit kanë hequr gjysmën e kapacitetit të rafinimit të Rusisë në gjashtë muaj, ne mund ta bëjmë këtë në gjashtë javë dhe të shkatërrojmë gjysmën tjetër”, tha ai.
Ministri polak i bëri thirrje Evropës të bindë Vladimir Putinin se çdo veprim agresiv kundër kontinentit evropian do të ketë “kosto jashtëzakonisht të larta”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, iu përgjigj deklaratave të ministrit polak, duke e akuzuar atë për “rusofobi mendore” dhe duke pretenduar se ai kishte thënë se Polonia mund ta mposhtte shpejt Rusinë.





