Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatin për pagat e reja të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kritikuar gjuhën e përdorur nga një gjyqtar në reagimet publike për këtë çështje.
Kryeministri thekson se askush nuk mund të zëvendësojë Parlamentin apo t’i diktojë pushtetit legjislativ.
“Politikën e pagave e propozon vetëm qeveria, e miraton vetëm parlamenti dhe e zbaton vetëm qeveria”, shprehet Rama, duke shtuar se Gjykata Kushtetuese ndërhyn vetëm në rastet kur cenohet një parim apo normë kushtetuese. Nëse largqoftë, shoqatat e prokurorëve e të gjykatësve kanë vendosur që me mjete politike dhe juridike të koordinuara me zyrat e prokurorive e të gjykatave si një ushtri e rreshtuar kundër qeverisë, të na imponohen me kallzime, sigurime a përmbarime për të rritur pagat e tyre, atëherë jemi përpara një sfide të një lloji të ri”, shkruan Rama.
Kryeministri thekson se kjo situatë nuk e tremb qeverinë, por e shqetëson, ndërsa nënvizon se debati për pagat nuk lidhet me “inatin”, por me atë që e cilëson si “sfidë shtetbërjeje europiane të Shqipërisë”.
Rama rikujton gjithashtu takimin e kërkuar dhe më pas të anuluar, duke thënë se tryeza vijon të jetë e gatshme.
“Është shumë e thjeshtë. Tryeza e përgatitur për takimin e kërkuar dhe të anulluar vazhdon të jetë gati. Në 17 shtator mbaron vetëm ky episod i tensionuar publikisht, që mund dhe duhet të ishte shmangur, por nuk shteron nevoja për të komunikuar mes pushteteve të pavarura”, shkruan ai.
Në përfundim, Rama shprehet se qeveria ka gatishmërinë për dialog, ndërsa pjesën tjetër ua lë gjyqtarëve për ta gjykuar.
“Por ne tryezën dhe gatishmërinë kemi, të tjerat janë në gjykimin e gjykatësve:-)”, përfundon reagimin e tij kryeministri.
Reagimi i plotë i Ramës
“Kurrë jo, kjo nuk është gjuhë gjykatësi, po gjuhë ultrasi që bërtet në rrugë kundër VAR-it.
Keqardhje dhe disa të vërteta të thjeshta:
Askush nuk e zëvendëson dot parlamentin dhe as nuk e urdhëron dot legjislativin se kur duhet ta ngrejë dorën. Vetëm Gjykata Kushtetuese e askush tjetër, ka të drejtën dhe detyrën t’i thotë se kur e ka ngritur dorën gabim, po as ajo vetë nuk i thotë dot kurrësesi pushtetit të pavarur legjislativ se si duhet ta ngrejë dorën.
Politikën e pagave e propozon vetëm qeveria, e miraton vetëm parlamenti dhe e zbaton vetëm qeveria. Gjykata Kushtetuese ndërhyn vetëm nëse cënohet një parim a një normë kushtetuese, që ligjvënësit duhet ta riparojnë pa u cënuar në pavarësinë e tyre, siç e shohin ata të udhës të shprehen me votën e tyre.
Nëse largqoftë, shoqatat e prokurorëve e të gjykatësve kanë vendosur që me mjete politike dhe juridike të koordinuara me zyrat e prokurorive e të gjykatave si një ushtri e rreshtuar kundër qeverisë, të na imponohen me kallzime, sigurime a përmbarime për të rritur pagat e tyre, atëherë jemi përpara një sfide të një lloji të ri, e cila nuk na tremb po na shqetëson pamasë. Por ne nuk duam të jetë kështu dhe unë nuk dua ta lejoj që të ndodhë kështu, sepse ndryshe nga si e mendon ky gjykatësi mediatik, kjo e pagave stratosferike, për ne nuk është çështje inati po sfidë shtetbërjeje europiane e Shqipërisë.
Eshtë shumë e thjeshtë. Tryeza e përgatitur për takimin e kërkuar dhe të anulluar vazhdon të jetë gati. Në 17 shtator mbaron vetëm ky episod i tensionuar publikisht, që mund dhe duhet të ishte shmangur, por nuk shteron nevoja për të komunikuar mes pushteteve të pavarura. Përkundrazi, ajo nuk lindi nga episodi i pagave dhe do të jetë edhe më e madhe në çdo hap deri në anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Por ne tryezën dhe gatishmërinë kemi, të tjerat janë në gjykimin e gjykatësve:-)”, shkruan Rama.





