Në të gjitha ndeshjet e Serie A u mbajt 1 minutë heshtje në nder të legjendës së Interit dhe kombëtares italiane Sandro Mazzola që ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare një ditë më parë.

Por në Allianz Stadium përpara sfidës mes Juventusit dhe Atalantës jo të gjithë e respektuan këtë moment nderimi, teksa u regjistrua një episod i trishtë dhe i shëmtuar.

Në fakt mes duartrokitjeve për të nderuar këtë figurë të madhe të futbollit në vendin e Apenineve, kishte nga ata që ‘e njollosën’ kujtimin e tij. Kështu në sektorin jugor të stadiumit torinez, disa tifozë juventinë i kthyen shpinën fushës, ndërsa të tjerët në kor thirrën emrat e Scireas dhe Agnellit.

Reagimi i Juventusit nuk mungoi me klubin torinez që përmes një komunikate zyrtare dënoi ashpër veprimin e shëmtuar të asaj pjese të tifozerisë bardhezi.

“Nuk ka rivalitet që të mund të justifikojë këtë mungesë respekti gjatë minutës së heshtjes. Të nderosh kujtimin dhe të bashkohesh në përkujtim në momente të tilla përbën një përgjegjësi të përbashkët që tejkalon përkatësinë dhe ngjyrat”, lexohet në komunikatën e Juventusit.