Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, ka kërkuar që procesi i hartimit dhe miratimit të ligjeve në Shqipëri të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës.
Gjatë takimit të 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, ambasadorja theksoi se shpejtësia e miratimit të ligjeve, në kuadër të procesit të anëtarësimit të vendit në BE, nuk duhet të vihet mbi mbikëqyrjen parlamentare dhe procesin publik e transparent.
Sipas saj, reformat mund të japin rezultat kur ligjet hartohen në mënyrë të mirë dhe pas një procesi të plotë konsultimi me grupet e interesit.
“Gjithçka fillon me ligje të mira, duhet të ketë konsultim kuptimplotë para se miratohen”, është shprehur ambasadorja.
Ajo nënvizoi se reformat që lidhen me Bashkimin Evropian prekin çdo aspekt të jetës së qytetarëve, nga menaxhimi mjedisor te arsimi. Për këtë arsye, sipas saj, procesi duhet të përfshijë të gjithë shoqërinë, përfshirë shoqërinë civile dhe sektorin privat.
“Shpejtësia (e miratimit të ligjeve) nuk duhet të rrezikojnë mbikëqyrjen parlamentare dhe procesin publik dhe transparent të bërjes së ligjeve, sepse përfitimet e reformave do të ndihen nëse ligjet hartohen dhe bazohen mirë. Gjithçka fillon me ligje të mira, duhet të ketë bërë konsultim kuptimplotë para se miratohen. Reformat që lidhen me BE prekin çdo aspekt të jetës, që nga menaxhimi mjedisor, arsimi dhe prekin çdo qytetar. Për këtë arsye duhet të kemi një qasje që të përfshijë të gjithë shoqërinë, mbikëqyrja e shoqërisë civile, sektori privat… të gjithë duhet të kenë mundësi të thonë fjalën e tyre”,- tha ambasadorja.





