Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ngritur shqetësimin për funksionimin e kontrollit parlamentar dhe rolin e opozitës në kuadër të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Në fjalën e tij në takimin e 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, Bardhi tha se integrimi europian nuk duhet të jetë thjesht një proces i përafrimit të legjislacionit, por një transformim i institucioneve demokratike.
Bardhi deklaroi se gjatë kësaj legjislature opozitës i janë mohuar instrumente të kontrollit parlamentar. Një tjetër çështje e ngritur prej tij ishte ajo e Komisioneve Hetimore. Bardhi u shpreh se opozita ka paraqitur gjashtë kërkesa për ngritjen e tyre dhe se asnjëra nuk është pranuar nga mazhoranca.
Deputeti demokrat kritikoi gjithashtu shumicën për mënyrën se si, sipas tij, janë trajtuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ai iu referua edhe vendimit të fundit lidhur me statusin e magjistratëve, duke akuzuar mazhorancën se ka rimiratuar një ligj të shfuqizuar më herët nga Gjykata Kushtetuese.
Deklarata e plotë e Gazment Bardhit:
Edhe unë ndaj qëndrimin si shumë në këtë sallë, se integrimi europian i Shqipërisë nuk është thjeshtë një slogan politik, por është dhe duhet të jetë, mbi të gjitha, një proces transformimi i shtetit shqiptar. Për fat të keq, edhe pse Shqipëria është në një fazë të avancuar të negociatave, nuk rezulton që ky proces të të jetë shoqëruar, qoftë edhe në fillesat e tij, me transformimin e institucioneve demokratike në vend.
Për ne si opozitë, Parlamenti nuk duhet të jetë thjesht vendi ku votohet legjislacioni i përafruar me Bashkimin Europian. Parlamenti duhet të jetë institucioni që garanton se këto ligje zbatohen, sepse qeveria kontrollohet dhe se reformat europiane, janë gjithëpërfshirëse dhe nuk mbeten vetëm në letër.
Në vitin 2026, Parlamenti Europian ka evidentuar shqetësime për dobësimin e kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin. Ky është një shqetësim që ne parlamentarët shqiptarë duhet ta adresonim. Mirëpo, kjo nuk ndodh. Edhe pse Kushtetuta e Shqipërisë, i jep pakicës parlamentare të drejtën të kontrollojë Qeverinë, në realitet kjo e drejtë mohohet.
Kryeministri në 1 vit të kësaj legjislature, nuk ka pranuar asnjë interpelancë apo kërkesë për llogaridhënie nga opozita. Janë 7 kërkesa të tilla në një vit, që Kryeministri ka refuzuar ti përgjigjet, duke e reduktuar prezencën e tij në Kuvend, vetëm kur nevojitet vota e tij për të miratuar ndonjë ligj me shumicë të cilësuar. Kjo i ka pamundësuar opozitës të luaj rolin e vet në një shoqëri demokratike, që ndër të tjera është edhe të mbajë përgjegjëse Qeverinë për fenomene negative, që prekin interesin publik.
Kushtetuta jonë gjithashtu i njeh pakicës parlamentare të drejtën të ngre Komisione Hetimore. Gjatë kësaj Legjisalture 1 vjecare, kemi paraqitur 6 të tilla. Asnjëra nuk është pranuar, sepse mazhoranca ka refuzuar të zbatojë Kushtetutën. Madje, edhe pse i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe kjo e fundit na ka dhënë të drejtë, ende vendimet e saj mbahen në syrtar dhe nuk zbatohen.
Për ilustrim, në Shtator 2025, opozita kërkoi ngritjen e një Komisioni Hetimor për të verifikuar keqpërdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje, një problematikë serioze e zgjedhjeve të shkuara e evidentuar edhe në raportin e OSBE – ODIHR. Mazhoranca e pengoi ngritjen e këtij Komisioni Hetimor. Ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese. E fituam cështjen dhe në Korrik 2026 Gjykata Kushtetuese urdhërojë Kuvendit që të lejojë ngritjen e këtij Komisioni Hetimor. Edhe pse kanë kaluar 3 muaj nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ende kjo e drejtë e opozitës nuk është zbatuar dhe Komisioni Hetimor nuk është ngritur.
Ky nuk është rasti i parë që shumica parlamentare refuzon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese që nuk i pëlqejnë, duke e shpallur veten mbi Kushtetutën e Shqipërisë dhe vullnetin politik mbi vendimet e detyrueshme për zbatim të Gjykatës Kushtetuese. Rasti më I fundit ishte vendimi i javës së shkuar, lidhur me statusin e magjistratëve, ku haptazi shumica parlamentare rimiratojë një ligj, i cili është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese plot tre herë, duke injoruar standardet që kjo Gjykatë i kishte lënë detyrë Kuvendit. Kryeministri bëri të qartë në seancë plenare, se Gjykata Kushtetuese mund të kontrollojë dhe shfuqizojë një ligj, por nuk na detyron ne sesi do të votojmë. Kjo konfirmon se për shumicën në Parlament, vullneti politik qëndron mbi Kushtetutën e Shqipërisë.
Po a e ndihmon procesin e integrimit europian një parlament që nuk lejon kontrollin mbi ekzekutivin, apo që injoron vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Unë mendoj që jo!
Për ne deputetët e opoztës, Shqipëria nuk do të bëhet europiane vetëm duke miratuar ligje me emra europianë. Shqipëria bëhet europiane kur institucionet funksionojnë sipas standardeve europiane. Pra: Kur Parlamenti kontrollon qeverinë. Kur opozita ka hapësirë reale për të ushtruar mandatin e saj kushtetues. Kur ligjet diskutohen seriozisht dhe nuk kalojnë thjesht për të përmbushur një afat. Kur shoqëria civile, ekspertët dhe grupet e interesit dëgjohen përpara se një reformë të votohet. Dhe mbi të gjitha, kur qytetari e ndien se integrimi europian po sjell më shumë shtet ligjor, më shumë drejtësi, më shumë transparencë dhe më shumë përgjegjshmëri.
Integrimi europian kërkon kontroll dhe balancë, jo vetëm shumicë votash. Nëse Parlamenti kthehet në një mekanizëm që miraton automatikisht nismat e qeverisë, atëherë humbet një nga funksionet e tij më të rëndësishme: kontrollin demokratik. Nuk mund të kërkojmë të hyjmë në Europë me institucione që funksionojnë sipas standardeve që Europa na kërkon të ndryshojmë.
Integrimi europian duhet të jetë një projekt kombëtar. Ai duhet të jetë projekt i institucioneve shqiptare. Dhe Parlamenti duhet të jetë në qendër të tij.
Si opozitë, detyra jonë është të kërkojmë që integrimi të jetë real. Të kërkojmë transparencë në çdo reformë. Të kërkojmë llogaridhënie për çdo angazhim. Të kërkojmë zbatim të ligjit, jo vetëm miratim të ligjit. Dhe të kërkojmë që çdo kapitull i negociatave të përkthehet në ndryshim konkret për qytetarin shqiptar. Jo të jetë një proces thjesht teknik, i mbyllur, dhe shpesh një proces që mbulohet si një cështje e sekretit shteëror.
Sepse objektivi nuk duhet të jetë vetëm të mbyllim kapitujt. Objektivi duhet të jetë të hapim një kapitull të ri për Shqipërinë: Një Shqipëri me institucione më të forta. Me Parlament më të fuqishem.





