Një helikopter ushtarak rus i tipit Mi-8 ka hyrë për pak çaste në hapësirën ajrore të Polonisë, pasi kaloi nga enklava ruse e Kaliningradit.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, mjeti fluturues qëndroi rreth 42 sekonda brenda territorit ajror polak dhe depërtoi deri në rreth 300 metra. Pas incidentit, Polonia aktivizoi menjëherë masat e mbrojtjes ajrore ku avionë luftarakë u ngritën në fluturim, ndërsa forcat tokësore dhe sistemet e mbrojtjes ajrore u vunë në gatishmëri.
Autoritetet polake e konsideruan incidentin si një tjetër test të gatishmërisë së mbrojtjes ajrore në një periudhë tensioni të lartë për shkak të luftës në Ukrainë. Deri tani, pala ruse nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me hyrjen e helikopterit në hapësirën ajrore polake.





