Është momenti për të mbrojtur titullin e aq shumë të dëshiruar, që Jurgen Uldedaj ka vendosur ta diskutojë përballë publikut të tij shqiptar. Më 23 tetor 2026 Tirana do të presë një natë magjike për sportin shqiptar, pasi për herë të parë në Shqipëri do të zhvillohet një event boksi profesionist i këtyre përmasave, në mbrojtje të titullit botëror IBO, ku përballë do të jenë dy boksierë që e kanë mbajtur këtë titull. Jurgen Uldedaj është Kampion Bote në IBO, kategoria Cruiserweight dhe boksieri i parë shqiptar që ka fituar një titull botëror, duke përfaqësuar zyrtarisht Shqipërinë dhe flamurin shqiptar në një prej pesë federatave kryesore ndërkombëtare të boksit: WBA, WBC, IBF, WBO dhe IBO. Kjo është arritja më e madhe e Shqipërisë në boksin profesionist.
Rrugëtimi i tij profesionist është ndërtuar hap pas hapi përmes titujve BDB German International, WBO Youth, WBC Youth Interim, WBC Youth, IBO Mediterranean, WBA Continental Europe dhe IBF International. Aktualisht, Jurgen Uldedaj numëron 22 fitore, prej të cilave 8 me KO/TKO. Më 25 tetor 2025, në O2 Arena të Londrës, Jurgen Uldedaj fitoi titullin botëror “IBO World Champion”. Më 30 maj 2026, në Arenën Wembley, ai realizoi me sukses mbrojtjen e pare të këtij titulli. Tani kampioni kthehet për ta mbrojtur titullin për herë të dytë, këtë herë përpara publikut shqiptar.
Titulli IBO është mbajtur ndër vite nga emra të mëdhenj të boksit botëror, si Lennox Lewis, Wladimir Klitschko, Tyson Fury, Anthony Joshua, Oleksandr Usyk, Floyd Mayweather Jr., Manny Pacquiao, Marco Huck, Gennadiy Golovkin dhe Dimitri Bivol. Përfshirja e Jurgen Uldedajt në historikun e kampionëve të kësaj federate është arritja më e madhe për boksin dhe sportin shqiptar.Në rrugëtimin e tij, Jurgen Uldedaj ka pasur si figurë frymëzimi, një nga emrat më të mëdhenj të boksit shqiptar si Luan Krasniqin.Më 23 tetor 2026, në Parkun Olimpik “Feti Borova” në Tiranë, përballë Jurgen Uldedajt do të jetë australiani Blake Caparello, ish-kampion bote IBO në kategorinë Light Heavyweight. Caparello ka sfiduar gjithashtu Sergey Kovalev për titullin botëror WBO. Përvoja dhe niveli i tij ndërkombëtar e bëjnë këtë një provë të fortë për kampionin shqiptar.
Një shqiptar kampion bote përballë një ish-kampioni bote, në ringun e Tiranës. Kjo përballje sjell për herë të parë para publikut shqiptar një mbrëmje boksi profesionist të standardit të lartë ndërkombëtar dhe shënon një kapitull të ri në historinë e këtij sporti në Shqipëri.Ky event organizohet nga “Crown Boxing International” dhe “Blanko Sports”, në bashkëpunim dhe me mbështetjen zyrtare të “Federatës Shqiptare të Boksit”.Kjo mbrëmje e “Boksit Profesionist” vjen në një moment të rëndësishme për boksin shqiptar, të përfaqësuar me shumë dinjitet në arenën ndërkombëtare nga emra dhe arritje si ato të Robin Krasniqit dhe Ermal Hadribeajt, si dhe nga pozicionimet e reja në renditjet ndërkombëtare të Alban Bërmetës, Nelson Hysës, Denis Nurjës dhe Alban Beqirit.
Më 23 tetor, këto suksese marrin një dimension të ri: një titull botëror do të mbrohet në zemër të Tiranës.Ftojmë tifozët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Diaspora të bëhen pjesë e kësaj nate historike dhe ta mbështesin kampionin tone Jurgen Uldedaj në sfidën më të rëndësishme që ai zhvillon në Shqipëri. Kampioni kthehet në shtëpi – dhe këtë herë do ta ketë publikun shqiptar në krah.





