Autori i dyshuar i vrasjes së 49-vjeçarit Kreshnik Cara, T.N është marrë në pyetje nga grupi hetimor sot më 24 shtator, për të zbardhur rrethanat e konfliktit, që përfundoi me vrasjen e 50-vjeçarit.
Në dëshminë e tij, T.N ka deklaruar se ndodhej në të njëjtin lokal me Kreshnik Carën, por në tavolina të ndryshme. Sipas tij, gjithçka nisi pas një debati të çastit, raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj.
Fillimisht, të dy janë konfliktuar me fjalë, ndërsa më pas T.K ka shkuar në banesën e tij, ka marrë një thikë dhe është kthyer në lokal, ku ka goditur disa herë 49-vjeçarin në bark.
Në momentin e konfliktit, Kreshnik Cara ndodhej në tavolinë me një mikun e tij. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se T.N, i cili pas ngjarjes u kap nga forcat Shqiponja njihet si përdorues i lëndëve narkotike. Edhe në deklarimet e dhëna para grupit hetimor, ai nuk ka qenë i qëndrueshëm në dëshmi, ndërsa ka pretenduar se ishte bullizuar shpesh.
Hetuesit po verifikojnë dëshminë e autorit dhe dinamikën e plotë të konfliktit, për të përcaktuar motivin dhe rrethanat që çuan në vrasjen e 49-vjeçarit. Policia pas ngjarjes ka gjetur dhe armën e ftohtë, me të cilën u krye vrasja.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë pranë gjimnazit “Petro Nini” në Tiranë, ku autori T.N qëlloi disa herë me thikë Kreshnik Carën, i cili ndërroi jetë në spital.





