Dy persona, babë e bir, janë shpallur në kërkim nga policia për plagosjen me armë zjarri të 31 vjeçarit Danjel Pikuli mesditën e së enjtes në fshatin Manati të Lezhës.

Policia bën me dije se Bebi (Gjergj) Voci dhe Ariseldo Voci, 47 dhe 23 vjeç, janë konfliktuar me 31-vjeçarin për motive të dobëta dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke e plagosur.

Policia thotë se i riu është jashtë rrezikut për jetën në spital. Ndërkohë, policia ka gjetur edhe automjetin tip “BMW”, i cili dyshohet se është përdorur nga dy autorët e dyshuar për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i hetimeve intensive të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, të DVP Lezhë, në drejtimin e Prokurorisë, për autorësinë dhe rrethanat e plagosjes me armë zjarri, të shtetasit D. P., mesditën e djeshme, në fshatin Manati, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të plagosjes, shtetasve: B. Gj. alias B. V., 47 vjeç, dhe A. V., 23 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Tresh, Lezhë.

Nga hetimet dyshohet se dje, rreth orës 13:10, këta dy shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin D. P., 31 vjeç, banues në Lezhë, kanë qëlluar me armë zjarri drejt tij. Si pasojë është plagosur 31-vjeçari, i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një automjet tip “BMW”, i cili dyshohet se është përdorur nga 2 autorët e dyshuar, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Vijon puna intensive për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.