Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar sot zyrtarisht draft ligjin për ndarjen administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri. Opozita thekson se pas përfundimit të një procesi të gjerë konsultimesh në të gjitha qarqet dhe marrjen e mendimit të qytetarëve, propozon që vendi të ketë 100 bashki dhe 12 qarqe.
Versioni i Grupit Parlamentar të PD shpjegohet me një relacion të argumentuar prej 168 faqesh, ku janë marrë në analizë të gjitha kriteret ligjore për ndarjen administrativo-territoriale.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike deklaron se nuk e konsideron Reformën Administrativo-Territoriale një betejë për numrin e bashkive, por si mundësi për krijimin e bashkive funksionale për të krijuar: më shumë afërsi, më shumë demokraci, më shumë përgjegjshmëri, më shumë shërbime, më shumë autonomi dhe më shumë zhvillim.





