Dogana e Malit të Zi  njoftoi më 25 shtator se ka ndaluar në Portin e Tivarit një kontejner me mish të ngrirë gjedhi me afat të skaduar, të destinuar për kompaninë “Apetit SHPK” nga Kosova.

Ky kontejner, sipas njoftimit, përmbante mbi 24 tonë peshë të përgjithshme të mishit, të shpërndarë në rreth 1.300 pako.

Sipas autoriteteve malazeze afati i përdorimit të mishit kishte skaduar më 14 maj të këtij viti.

Në një reagim për rastin, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) tha se kompania Apetit është duke iu nënshtruar masave të rrepta të kontrollit qysh nga 18 shtatori.

“Pavarësisht kësaj, nga data 18 shtator AUV menjëherë ka iniciuar kontroll të detajuar. Biznesi është duke u mbajtur nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga data e nisjes se inspektimeve. Informacionet e reja të pranuara sot, do të përfshihen dhe plotësojnë kontrolli e plotë ne vijimësi”, tha ajo.

AUV tha se ka urdhëruar gjurmueshmëri të plotë të produkteve të importuara nga Apetit, përfshirë verifikimin e dokumenteve të origjinës dhe importit, sasive të importuara e të shpërndara dhe destinacioneve të produkteve.