Urgjenca Polivalente në QSUT po riorganizohet sipas një modeli të ri menaxhimi, që synon të përmirësojë koordinimin dhe shërbimin ndaj pacientëve. Vetëm nga janari deri në shtator të këtij viti, aty janë trajtuar rreth 91 mijë pacientë. Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, kërkoi forcimin e triazhimit dhe shmangien e mbingarkesës me raste që mund të trajtohen nga mjeku i familjes.

Urgjenca Polivalente në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po kalon në një model të ri organizimi dhe menaxhimi, me synimin për të përmirësuar koordinimin mes ekipeve dhe për të shkurtuar kohën e përgjigjes ndaj pacientëve.

Vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2026, nga janari deri në shtator, në këtë urgjencë kanë marrë shërbim rreth 91 mijë pacientë.

Modeli i ri mbështetet edhe te triazhimi që kryhet sapo pacienti mbërrin në urgjencë. Në varësi të gjendjes shëndetësore dhe shkallës së urgjencës, rastet klasifikohen sipas kodeve dhe orientohen drejt observimit apo zonave të përcaktuara për trajtim.

Por një prej problematikave mbetet fluksi i pacientëve me raste që nuk kërkojnë domosdoshmërisht trajtim në urgjencën e QSUT-së.

Sipas ministres së Shëndetësisë, krahas ndërgjegjësimit të qytetarëve, kërkohet edhe koordinim më i mirë me spitalet rajonale për pacientët që referohen drejt QSUT-së.

Riorganizimi synon që fluksi i pacientëve të menaxhohet sipas shkallës së urgjencës, ndërsa rastet që mund të marrin zgjidhje në kujdesin parësor të mos rëndojnë shërbimin spitalor.