Më shumë se katër dekada pas luftës së vitit 1982, mosmarrëveshja mes Britanisë së Madhe dhe Argjentinës për Ishujt Falkland rikthehet në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Buenos Aires i quan ishujt Malvinas dhe vazhdon të kërkojë sovranitetin mbi ta. Londra, ndërkohë, mbështet statusin e tyre si territor britanik.
Në mes të debatit janë tashmë edhe burimet e naftës në ujërat përreth ishujve, ndërsa deklaratat e fundit nga Argjentina, Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë shtuar vëmendjen mbi një konflikt që mbetet i pazgjidhur.
Në Atlantikun Jugor, rreth 500 kilometra larg brigjeve të Argjentinës, ndodhen Ishujt Falkland, të njohur në Argjentinë si Islas Malvinas.
Arkipelagu përbëhet nga dy ishujt kryesorë, Falkland Lindor dhe Falkland Perëndimor, si dhe qindra ishuj më të vegjël.
Sot, territori ka institucionet e veta të zgjedhura dhe administron çështjet e brendshme, ndërsa mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten të lidhura me Mbretërinë e Bashkuar.
Për Londrën, historia e administrimit britanik dhe vullneti i banorëve janë baza kryesore e qëndrimit të saj.
“Fillimisht, Britania, si fuqi koloniale, pretendoi Ishujt Falkland për shkak të pozicionit të tyre strategjik ushtarak dhe detar në Atlantikun Jugperëndimor. Dhe argumenti i Britanisë për sovranitetin bazohet në administrimin e saj politik afatgjatë të ishujve, që prej vitit 1833, me një ndërprerje të shkurtër, sigurisht, në vitin 1982, si rezultat i luftës. Britania këmbëngul se ishujt janë një territor britanik përtej deteve, me vetëqeverisje, dhe mbështet të drejtën e banorëve të ishujve për vetëvendosje”, pohoi Dr. Matthew Benwell, nga Universiteti i Newcastle.
Pikërisht këtë interpretim e kundërshton Argjentina.
Buenos Aires thotë se ishujt janë pjesë e territorit që Argjentina trashëgoi nga Spanja pas pavarësisë dhe se marrja e kontrollit nga Britania ishte një akt i paligjshëm.
“Argjentina, nga ana tjetër, u referohet ishujve si Islas Malvinas dhe pretendon se ata u morën dhe u pushtuan në mënyrë të paligjshme nga britanikët në vitin 1833. Dhe pretendimi i tyre bazohet kryesisht në trashëgiminë historike të territorit nga Perandoria Spanjolle dhe në afërsinë gjeografike të ishujve me territorin e Amerikës së Jugut”, u shpreh Benwell.
Përplasja diplomatike u kthye në luftë në prill të vitit 1982, ku Argjentina urdhëroi pushtimin e ishujve. Në Buenos Aires, turma të mëdha u mblodhën në Plaza de Mayo.
Britania dërgoi një task-forcë detare në Atlantikun Jugor.
Lufta zgjati 74 ditë dhe përfundoi me dorëzimin e Argjentinës në qershor të vitit 1982. Në konflikt humbën jetën 649 argjentinas, 255 pjesëtarë të forcave britanike dhe tre banorë të ishujve.
Lufta pati pasoja të thella politike në të dyja vendet.
Në Argjentinë, disfata përshpejtoi rënien e juntës ushtarake. Në Britani, fitorja e Margaret Thatcher u shndërrua në një moment përcaktues të politikës së saj.
“Mendoj se Falklandet mbeten politikisht të rëndësishme në Mbretërinë e Bashkuar, kryesisht për shkak të 255 jetëve që u humbën në Luftën e Falklandeve. Pra, lufta e vitit 1982 dhe kujtesa e saj vazhdojnë të rezonojnë shumë fuqishëm në jetën politike dhe publike britanike, duke e bërë të vështirë për qeveritë britanike që të bëjnë diçka tjetër përveçse të mbështesin të drejtën e banorëve të ishujve për të mbetur një territor britanik përtej deteve. Dhe kjo e drejtë mbrohet nga prania e vazhdueshme e ushtrisë britanike të dislokuar në Falklande”, deklaroi Benwell.
Katër dekada pas luftës, statusi i ishujve mbetet i pandryshuar. Në vitin 2013, banorët e Falklandeve votuan në një referendum për statusin e tyre politik.
99.8 për qind e votuesve mbështetën vazhdimin e statusit si territor britanik përtej deteve, në një votim me pjesëmarrje rreth 92 për qind. Britania e konsideron këtë rezultat një shprehje të qartë të vullnetit të banorëve.
Argjentina, ndërkohë, e kundërshton referendumin dhe nuk e konsideron atë vendimtar për çështjen e sovranitetit.
“Banorët e shohin veten fillimisht si banorë të Falklandeve, por gjithashtu edhe si qytetarë britanikë. Kështu që, mendoj se nëse i pyet, ata me siguri do ta shihnin të ardhmen e tyre politike si një territor britanik përtej deteve. Mendoj se ata janë shumë të kënaqur me marrëdhënien aktuale me Britaninë dhe vazhdojnë të kenë mbështetje shumë të fortë për të drejtën e tyre për vetëvendosje në të gjithë spektrin politik në Mbretërinë e Bashkuar”, pohoi Benwell.
Në Argjentinë, çështja e Malvinave mbetet pjesë e fortë e identitetit dhe diskursit publik.
Nga shkollat dhe hartat, te memorialet dhe deklaratat politike, pretendimi për sovranitetin mbi ishujt përsëritet brez pas brezi.
“Në Argjentinë, Malvinat janë një pjesë shumë e dukshme e jetës publike. Që në moshë shumë të re, të gjithë argjentinasve u thuhet se ishujt i përkasin Argjentinës dhe se ata janë të pushtuar në mënyrë të paligjshme nga britanikët. Pra, me pak fjalë, kjo është çështja e politikës së jashtme që qeveritë në Argjentinë, në shkallë të ndryshme, e kanë vendosur si prioritet. Dhe Kushtetuta e vendit kërkon që qeveria e radhës të punojë për rikthimin e tyre”, tha Benwell.
Presidenti argjentinas Javier Milei e ka rikonfirmuar pretendimin e vendit të tij për sovranitetin mbi ishujt. Në anën tjetër, banorët e Falklandeve kanë shprehur në mënyrë të përsëritur mbështetjen për statusin aktual.
Pamjet e referendumit të vitit 2013 tregojnë radhë të gjata votuesish në Stanley, ndërsa flamujt britanikë dhe të Falklandeve shoqërojnë jetën publike në ishuj.
Por çështja nuk mbetet vetëm në diplomaci.
Në korrik të këtij viti, një banderolë e shfaqur pas një ndeshjeje të Argjentinës me Anglinë në Kupën e Botës riktheu Malvinat në qendër të vëmendjes globale.
“Çështja u rishfaq dhe mori vëmendje ndërkombëtare në korrik të këtij viti, kur disa prej futbollistëve të Argjentinës shfaqën një banderolë pas ndeshjes së tyre me Anglinë në Kupën e Botës. Dhe kjo banderolë deklaronte sovranitetin argjentinas mbi ishujt dhe ishte jashtëzakonisht e diskutueshme, sepse e solli çështjen në një audiencë globale, por gjithashtu padyshim që binte ndesh me rregullat e FIFA-s. Më pas kemi pasur deklaratat e ndryshme të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në lidhje me ndryshime të mundshme në qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj neutralitetit në këtë mosmarrëveshje për sovranitetin”, pohoi ndër të tjera Benwell.
Presidenti Donald Trump ka deklaruar se qëndrimi amerikan po rishikohet.
Nga qeveria e Falklandit, këto zhvillime janë pritur me qetësi.
“Mendoj se nga këndvështrimi i qeverisë së Ishujve Falkland, ata janë mjaft të mësuar me këtë lloj zhurme të jashtme që lidhet me sovranitetin e ishujve. Dhe ata kanë tendencë t’u përgjigjen mjaft qetësisht këtyre deklaratave që kanë ardhur nga vende të tjera, si nga Argjentina, ashtu edhe në këtë rast nga Shtëpia e Bardhë”, u shpreh Benwell.
Në Buenos Aires, ndërkohë, çështja është rikthyer fuqishëm në debat, në një periudhë kur presidenti Javier Milei përballet me sfida të brendshme politike dhe ekonomike.
“Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, do të përballet me zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm. Mund të themi se ai ka zgjedhur këtë moment për t’iu rikthyer pretendimit të Argjentinës mbi Falklandet, në përpjekje për të fituar mbështetje. Në aspektin diplomatik, ai kishte qenë relativisht i heshtur për këtë çështje gjatë viteve të para të presidencës së tij. Kështu që nuk mendoj se është një rastësi që zgjedhjet po afrohen në Argjentinë dhe se Milei po përballet me rezultate të dobëta në sondazhe”, tha Matthew Benwell.
Përtej politikës, mbrojtja e ishujve mbetet përgjegjësi e Britanisë së Madhe. Prania ushtarake britanike është pjesë e rëndësishme e sigurisë së Falklandit dhe e garancive që Londra u jep banorëve.
“Siç qëndrojnë gjërat aktualisht, Britania ofron sigurinë dhe mbrojtjen që kërkojnë Ishujt Falkland. Kështu që baza ushtarake britanike e stacionuar në Falkland ofron garanci kundër çdo agresioni të ardhshëm argjentinas. Mendoj se banorët ende kanë nevojë për këtë marrëdhënie me Mbretërinë e Bashkuar dhe për këtë garanci në politikën e jashtme dhe në mbrojtje, për sigurinë e tyre”, theksoi Benwell.
Kombet e Bashkuara i rendisin Falklandet si një territor jo-vetëqeverisës dhe kanë bërë thirrje të përsëritura për rifillimin e negociatave mes Britanisë dhe Argjentinës.
OKB-ja nuk ka përcaktuar sovranitetin përfundimtar mbi ishujt.
Ndërkohë, të dyja palët vazhdojnë të mbajnë qëndrime të kundërta. Për Argjentinën, Malvinat mbeten pjesë e territorit të saj dhe një objektiv i politikës së jashtme.
Për Britaninë dhe banorët e Falklandit, statusi aktual dhe e drejta për vetëvendosje mbeten baza e qëndrimit të tyre.
Më shumë se 40 vjet pas luftës, një konflikt që nisi me armë vazhdon ende përmes diplomacisë, politikës, ekonomisë dhe betejës për burimet në ujërat e Atlantikut Jugor.





