Apple është urdhëruar të paguajë 5.7 miliardë dollarë dëmshpërblim pasi një juri në SHBA vendosi se kompania kishte përdorur pa autorizim teknologjinë e një firme tjetër, sipas raportimeve.
Kompania audio Taction Technology e paditi Apple në vitin 2021, duke pretenduar se gjiganti teknologjik kishte shkelur dy patenta për sistemet haptike. Këto teknologji mundësojnë reagimet përmes dridhjeve në pajisje, për shembull gjatë marrjes së një njoftimi ose shtypjes së një butoni.
Teknologjia haptike përdoret në pajisje të Apple, përfshirë iPhone dhe Apple Watch.
Apple e ka kundërshtuar vendimin dhe ka deklaruar se do ta apelojë. Kompania tha se nuk kishte përdorur teknologjinë e Taction dhe se sistemi i saj “Taptic Engine” është thelbësisht i ndryshëm nga teknologjia për të cilën bëhej fjalë në gjyq.
Haptika u mundëson përdoruesve të ndërveprojnë me pajisjet përmes reagimeve që simulojnë shqisën e prekjes. Teknologjia përdoret gjerësisht në telefonat inteligjentë, orët inteligjente dhe kontrolluesit e videolojërave, ku motorë të vegjël krijojnë dridhje në përgjigje të sinjaleve elektronike.





