Menjëherë pas vdekjes së këngëtarit të njohur grek Giorgos Mazonakis, kontrolle të shumta kanë nisur në Greqi në klinika dhe qendra të ndryshme private. Dhe mbrëmjen e së hënës, në Selanik, autoritetet vendosën mbylljen e një klinike private, ku u zbulua se funksiononte ilegalisht një repart onkologjik dhe kryheshin kimioterapi pa licencën përkatëse.

Kontrolli i Autoritetit Kombëtar të Transparencës tregoi se klinika kishte ngritur një repart të plotë onkologjik, me pajisje edhe për përgatitjen e barnave kimioterapeutike, megjithëse ky repart nuk përfshihej fare në licencën e saj.

Sipas hetimit, aty punonte një pneumolog i specializuar në onkologjinë e mushkërive, por pa kontratë të shkruar me klinikën. Që nga viti 2022, ai përshkruante barna kimioterapie për pacientët dhe më pas trajtimet kryheshin brenda repartit të paautorizuar.

Autoritetet konstatuan gjithashtu se klinika nuk kishte numrin e nevojshëm të infermierëve, i mungonin mjekë të disa specialiteteve të detyrueshme dhe nuk kishte në funksion as Njësinë e Kujdesit Intensiv, megjithëse kjo parashikohej nga licenca e saj.

Gjithashtu, u zbulua se pacientë që rezulton se ishin shtruar me diagnoza që nuk lidheshin me kancerin, gjatë qëndrimit në klinikë kishin marrë barna kimioterapie. Autoritetet po hetojnë nëse në këto raste janë dërguar të dhëna të pasakta në EOPYY, fondin publik grek të sigurimeve shëndetësore, për të marrë rimbursimin e shtrimeve.