Një hetim i FBI-së amerikane ka zbardhur mënyrën se si funksiononte Rydox, një treg ilegal në internet ku për vite me radhë shiteshin të dhëna personale të vjedhura, kredenciale llogarish dhe mjete për mashtrime online. Pas platformës, sipas autoriteteve amerikane, qëndronin vëllezërit nga Kosova, Ardit dhe Jetmir Kutleshi.

Hetimi nisi të paktën në vitin 2022, kur një burim i fshehtë i FBI-së hapi një llogari në Rydox dhe depozitoi 300 dollarë në kriptovaluta. Më pas, burimi bleu rreth 40 paketa me të dhëna të vjedhura, përfshirë emra, adresa, datëlindje, numra të sigurimeve shoqërore dhe të dhëna të patentë-shoferëve. Mes tyre ishin edhe të dhënat e një personi nga Pensilvania, të shitura pa dijeninë dhe lejen e tij.

Sipas dokumenteve gjyqësore amerikane, Rydox funksiononte të paktën që nga viti 2016. Platforma pranonte pagesa në kriptovaluta dhe ofronte një katalog me të dhëna kartash bankare, fjalëkalime, kredenciale për llogari emaili dhe shërbime online, si dhe mjete për mashtrime dhe dërgimin e mesazheve të padëshiruara.

Një nga produktet kryesore ishin të ashtuquajturat “fullz” – paketa me të dhëna të plota identifikuese që mund të përdoreshin për mashtrime financiare dhe vjedhje identiteti.

Sipas aktakuzës, administrimi i platformës ishte një aktivitet i organizuar. Ardit Kutleshi merrej me kërkesat e përdoruesve, llogaritë administrative dhe pagesat për domenin e serverët, ndërsa Jetmir Kutleshi ndihmonte në përditësimin e uebsajtit dhe infrastrukturës së tij.

Rydox fitonte para si nga shitësit, të cilët paguanin një tarifë për t’u regjistruar në platformë, ashtu edhe nga çdo transaksion. Sipas dokumenteve, shitësit merrnin 60% të shumës së një shitjeje, ndërsa 40% i mbante platforma.

FBI-ja përdori edhe gjurmimin e transaksioneve në kriptovaluta për të lidhur aktivitetin e Rydox-it me vëllezërit Kutleshi. Hetuesit thanë se një pjesë e të ardhurave të platformës kalonte në kuleta digjitale të kontrolluara prej tyre, ndërsa paratë përdoreshin edhe për pagesat e serverëve dhe shërbimeve të tjera të nevojshme për funksionimin e tregut.

Blerjet e fshehta të FBI-së vazhduan edhe në vitin 2024. Në një rast, agjentët blenë të dhëna identifikuese të një viktime dhe kredenciale për një llogari me pagesë të një viktime tjetër. Hetuesit më pas kontaktuan disa prej viktimave për të konfirmuar se të dhënat e tyre ishin përdorur dhe shitur pa autorizim.

Më 12 dhjetor 2024, Ardit dhe Jetmir Kutleshi u arrestuan në Kosovë me kërkesë të Shteteve të Bashkuara. Në Shqipëri u arrestua gjithashtu shtetasi kosovar Shpend Sokoli, të cilin autoritetet amerikane e identifikuan si një tjetër administrator të Rydox-it.

Jetmir Kutleshi pranoi fajësinë për një nga akuzat dhe u dënua në vitin 2025, ndërsa Ardit Kutleshi pranoi fajësinë në shtator 2026 për komplot për pastrim parash dhe vjedhje të rëndë identiteti. Dënimi i tij pritet të caktohet në fillim të vitit 2027.

Operacioni i autoriteteve amerikane i dha fund edhe infrastrukturës së Rydox-it. Domeni i platformës u sekuestrua, ndërsa serverët u morën nën kontroll nga FBI-ja dhe autoritetet e Malajzisë.