Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi unanimisht, në mbledhjen e kësaj të marte, me votat e mazhorancës dhe opozitës, propozimin e kryebashkiakut Erion Veliaj për shpalljen “Qytetarë Nderi” të Tiranës të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Për Hashim Thaçin, motivacioni lidhet me kontributin në Luftën Çlirimtare të Kosovës, përfaqësimin politik të saj dhe rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Në motivacion përmendet edhe lidhja e veçantë me Tiranën dhe forcimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Për Kadri Veselin, vendimi vlerëson kontributin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, si dhe lidhjen e veçantë me Tiranën dhe përkushtimin ndaj afrimit e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Për Jakup Krasniqin, motivacioni lidhet me kontributin në Luftën Çlirimtare të Kosovës, përfaqësimin politik dhe rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë. Në të theksohet gjithashtu lidhja e hershme me Tiranën, si një nga qendrat e mbështetjes politike e qytetare për Kosovën.
Ndërsa për Rexhep Selimin, motivacioni vlerëson kontributin në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, si dhe lidhjen e veçantë me Tiranën, e cila, sipas motivacionit, në ditët e luftës qëndroi pranë Kosovës dhe popullit të saj.





