Interneti është përfshirë në reagime pasi presidenti amerikan Donald Trump u shfaq sikur po dremiste gjatë një aktiviteti publik në Zyrën Ovale.
Momenti u regjistrua të hënën, gjatë një eventi ku Trump njoftoi planet për ndërtimin e një fabrike të re çeliku në Iowa, një investim prej 15 miliardë dollarësh. Projekti pritet të nisë prodhimin në vitin 2030 dhe të krijojë 1 750 vende pune të përhershme.
Teksa zyrtarë të tjerë morën fjalën, Trump u shfaq me kokën të anuar djathtas, sytë e mbyllur dhe kokën të ulur, duke krijuar përshtypjen se po flinte. Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe sollën reagime të shumta.
Nuk është hera e parë që Trump është shfaqur në një pozicion të ngjashëm gjatë një aktiviteti publik. Kritikët kanë pretenduar se presidenti po dremiste, ndërsa Trump dhe Shtëpia e Bardhë i kanë mohuar më parë këto pretendime.
Djali i ish-presidentit Joe Biden, Hunter Biden, publikoi një pamje të momentit në llogarinë e tij në X, të shoqëruar me pyetjen: “Kush është ‘i përgjumur’?”
Edhe guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom, reagoi në mënyrë ironike. “Kryetari McConnell duket shkëlqyeshëm”, shkroi llogaria e “zyrës së shtypit” së Newsom në X, duke iu referuar senatorit Mitch McConnell, i cili së fundmi është shfaqur i dobët dhe i hutuar pas një periudhe rikuperimi nga një rënie.
Gazetarja Molly Jong-Fast e mbrojti Trumpin në mënyrë humoristike, duke vënë në dukje se presidenti dukej sikur kishte rënë në gjumë ndërsa Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, po fliste. “Në mbrojtje të Trumpit, Howard është tepër i mërzitshëm”, shkroi ajo.
Shtëpia e Bardhë: Kush pretendon se Trump po flinte, gënjen
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Davis Ingle, reagoi të martën, duke hedhur poshtë pretendimet se presidenti kishte fjetur gjatë aktivitetit.
“Mendjemprehtësia, energjia e pakrahasueshme dhe aksesueshmëria historike e Presidentit Trump janë në kontrast të plotë me atë që pamë gjatë administratës së mëparshme, kur demokratët dhe media kryesore fshehën qëllimisht nga populli amerikan rënien serioze mendore dhe fizike të Joe Biden”, tha Ingle.
Ai e cilësoi Trumpin si “presidentin më të zgjuar dhe më të aksesueshëm në historinë amerikane”, duke thënë se ai “po punon pa u lodhur për të zgjidhur problemet dhe për të përmbushur premtimet e tij, duke mbetur në shëndet të shkëlqyer”.
“Kushdo që pretendon se Presidenti po flinte, gënjen”, shtoi zëdhënësi.
Stafi i Trump ka dhënë edhe më herët shpjegime për momentet kur presidenti shfaqet me sytë e mbyllur. Sipas tyre, ai mund të jetë duke “pulsuar sytë” ose duke dëgjuar me vëmendje.
Shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, i tha Vanity Fair se Trump “nuk është në gjumë” kur shfaqet me kokën ulur dhe sytë e mbyllur, duke këmbëngulur se “ai është mirë”.
Edhe vetë Trump i ka mohuar më parë akuzat se bie në gjumë gjatë aktiviteteve publike. Në një intervistë të botuar nga Wall Street Journal më 1 janar të këtij viti, ai tha: “Unë thjesht i mbyll sytë. Është shumë relaksuese. Ndonjëherë më fotografojnë duke i mbyllur sytë dhe më kapin duke i mbyllur sytë.”





