Komediani turk Deniz Göktaş është liruar pas 88 ditësh në burg, pasi ishte dënuar me 1 vit e 7 muaj burgim për deklaratat e bëra gjatë një shfaqjeje stand-up ndaj presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan.
Göktaş u arrestua më 3 korrik, ndërsa po kthehej nga një udhëtim jashtë vendit. Ai qëndroi në burgun e sigurisë së lartë Karatepe, në Tekirdağ-Çorlu.
Çështja lidhej me deklaratat e tij gjatë shfaqjes së humorit “Dead Sea”, ku ai e kishte cilësuar Erdoğan si “diktator”, duke argumentuar se bëhej fjalë për një pjesë të satirës.
Për çfarë u akuzua?
Komediani u përball me akuza për “fyerje publike të presidentit”, nxitje publike të urrejtjes dhe armiqësisë përmes medias dhe transmetimeve, si dhe për lavdërim të krimit dhe autorit të tij.
Gjatë mbrojtjes së tij në gjykatë, Göktaş tha se përdorimi i fjalës “diktator” ishte pjesë e humorit dhe satirës politike.
“Presidenti Recep Tayyip Erdoğan është gjithashtu kryetar i AKP-së. Ai duhet të jetë i hapur ndaj kritikës humoristike që vjen përmes artit të satirës”, deklaroi ai.
Komediani argumentoi gjithashtu se termi “diktator” ishte një përkufizim politik dhe jo fyes.
“Termi ‘diktator’ nuk është fyerje, por një karakterizim politik. Një tjetër komedian mund të thotë ‘demokrat’ dhe kjo mund të jetë edhe më qesharake se shakaja ime”, u shpreh Göktaş.
Ai shtoi se politikanët duhet të jenë të përgatitur për kritika të tilla dhe se, sipas tij, ligjet që lidhen me lirinë e shprehjes dhe kufijtë e fyerjes nuk kanë ndryshuar, ndërsa politikanët janë bërë më të ndjeshëm ndaj kritikave.





