Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka kritikuar qeverinë shqiptare, duke thënë se nuk ka reaguar në lidhje me bashkimin e tetë subjekteve politike shqiptare në Serbi për të garuar me një listë të vetme.

Me anë të një postimi në Facebook, Koçeku ngre shqetësime për situatën e shqiptarëve në Serbi dhe vëmendjen që Shqipëria u kushton atyre në planin politik dhe diplomatik.

Koçeku përmend mbështetjen financiare të Kosovës për shqiptarët në Serbi, duke deklaruar se kjo mbështetje është rritur ndër vite. Në fund, ajo ngre pyetjen: “Po qeveria jonë, interesat e kujt mbron atje?”

Reagimi i Koçekut

Filmimet që kanë dalë këto dy ditë nuk përbajnë lajm. Lajm asht që partitë shqiptare në Serbi janë ba bashkë. Por kjo temë nuk mori as vëmendjen ma minimale dhe u mbyt prej zhurmës së krijueme të lajmeve boshe.

Tetë subjekte politike u bashkuen për me garu në nji listë të vetme, “Koalicioni Shqiptar”, në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, kundër regjimit autokratik të Vuçiç. Këto zgjedhje vijnë si pasojë e presionit të protestave disa mujore dhe i gjejnë shqiptarët ma të bashkuem.

Qeveria jonë as reagoi e as e mbështeti nji akt të tillë vendimtar për përfaqësimin që u bahet shqiptarëve në Serbi. Rrallëherë ngrihet çështja e tyne edhe në takime të diplomacisë shqiptare, përveçse kur bahet fjalë për marrëveshje të mbrapshta siç ishte rasti i konsullatës serbe në Shkodër.

Shqiptarët në Serbi përveçse shtypen prej vitesh sidomos si pasojë e spastrimit me mjete administrative, nuk marrin as mbështetjen e meritueme nga qeveria e Shqipërisë.

Qeveria e Kosovës çdo vit e ka rrit me nga 1 milion euro mbështetjen për shqiptarët në Serbi. Po qeveria jonë, interesat e kujt mbron atje?