Këngëtari fierak Erind Xhaferi është arrestuar në flagrancë nga Policia e Fierit, pas një informacioni të marrë në rrugë operative, lidhur me një rast të dyshuar për përndjekjen e vajzave të mitura.

Mësohet se ka qenë një telefonatë e bërë nga vajzat në sallën operative të Policisë, e cila ka vënë në lëvizje shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier.

Pas marrjes së informacionit, shërbimet e Policisë kanë kryer verifikimet në terren dhe kanë organizuar veprimet operacionale për dokumentimin e rastit. Në vijim, efektivët kanë bërë të mundur ndalimin e të dyshuarit, i cili është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku janë kryer veprimet e mëtejshme procedurale.

Sipas informacioneve paraprake, ndaj këngëtarit është ngritur dyshimi për veprën penale të parashikuar nga neni 108 i Kodit Penal, “Vepra të turpshme”.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit.