Ka nisur puna për pastrimin e pjesëve të murit të Kalasë së Durrësit që u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit. Punimet kanë filluar pas gati gjashtë muajsh nga goditja shkatërruese e tërmetit, ndërsa në krye të punimeve është caktuar organizata jofitimprurëse “CHwB” Albania, që merret me restaurimin e trashëgimisë kulturore dhe bashkëpunimin me muzeumet. 

Në një komunikim me “DurrësLajm”, drejtori i Qendrës Muzeore Durrës Alban Ramohitaj, deklaron se aktualisht jemi në procesin e fazës së parë, ku ekipi i ekspertëve arkeologë dhe restauratorë po merren me zhvendosjen e çdo pjese të dëmtuar, të cilat më pas do t’i nënshtrohen një tjetër faze.

Ramohitaj thekson se ekipi po punon me kujdes të madh për shkak të rëndësisë së veçantë dhe vlerave që mbartin duke qenë pjesë e trashëgimisë sonë, duke spostuar çdo gjë; nga pjesët qeramike deri tek allçia e rënë në tokë.

“Të gjitha pjesët që janë të spostueshme po zhvendosen anash murit, e ndërkohë do të vendoset dhe një skeleri për të mbrojtur kullën e dëmtuar. Pasi të përfundojë i gjithë ky proces do të nisë faza e dytë, ku pritet që të përcaktohet nëse pjesa e mbetur do të restaurohet, apo do të vlerësohet për t’u forcuar e konsoliduar, pra mbetet në pritje të një vendimi pasardhës”, shprehet Ramohitaj.

Organizata joftimiprurëse “Cultural Heritage without borders Albania” pasi ka marrë miratimin nga Ministria e Kulturës për t’u kujdesur për murin e shembur të Kalasë së Durrësit, po i kryen punimet me fondet e veta.

Sa i përket vonesës së punimeve, se përse u prit një kohë e gjatë për gati 6 muaj për të filluar puna e arkeologëve, Ramohitaj sqaron se “ka qenë procedura e lejeve që kalon në disa hallka; në Ministrinë e Kulturës fillimisht, më pas vjen kërkesa për marrjen e lejes edhe në bashkinë e Durrësit, përgatitja e dokumentacionit etj. Po ashtu edhe situata e shkaktuar nga pandemia e Covid-19 ka pasur efektin e saj, pasi në muajin mars u aprovua nisja e punimeve, por u shty prej rrethanave në një kohë më të përshtatshme.”

Edhe për fazën e dytë do të bëhet një tjetër projekt, i cili po ashtu do t’i nështrohet procedurave të konkurrimit dhe marrjes së lejes në Ministrinë e Kulturës.

*Kjo kala mbetet simbol i lashtësisë e qytetërimeve të qytetit bregdetar. I gjithë muri rrethues i përket periudhës së perandorit bizantin Anastasi I në shekullin e V-të, që ishte me origjinë nga Durrësi dhe bëri fortifikimin e qytetit dhe kulla C që ka rënë ishte pjesë e këtij rrethimi fortifikues. Gjatë tërmetit të tmerrshëm të vitit 1273, që shkatërroi pothuajse plotësisht qytetin e Durrësit, u shkatërrua edhe kjo kullë plotësisht. Më pas, kulla u restaurua me materiale të antikitetit të vonë, pra të periudhës së Anastasit dhe materiale të periudhës së Mesjetës. Për herë të dytë në historinë e saj, tërmeti i 26 nëntorit shkatërroi dhe një nga kullat fortifikuese të Kalasë së Durrësit.

S.L.