Policia ka vijuar aksionet për lirimin e hapësirave publike në plazhe, duke sekuestruar 101 çadra dhe 202 shezlongë të vendosur pa leje në plazhin e Spilles.
Kontrollet janë zhvilluar nga shërbimet e Stacionit të Policisë Rrogozhinë, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, me qëllim evidentimin dhe goditjen e zënies së paligjshme të hapësirave publike përgjatë vijës bregdetare.
Sipas policisë, pajisjet e plazhit ishin vendosur në mënyrë të paligjshme nga dy shtetas në hapësira publike në Spille. Për këtë rast janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. T., 37 vjeç, banues në Spille, dhe Z. K., 71 vjeç, banues në Elbasan.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjithë vijën bregdetare, me fokus lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që ushtrohen gjatë sezonit turistik.
Autoritetet kanë apeluar ndaj qytetarëve dhe subjekteve që të respektojnë hapësirat publike, duke paralajmëruar se shkeljet do të shoqërohen me masa administrative dhe penale sipas legjislacionit në fuqi.





