Gatishmëria e gjigandit farmaceutik francez Sanofi për t`i dhënë përparësi tregut amerikan lidhur me çdo vaksinë të mundshme kundër Covid-19, ka ngjallur debate të ashpra në Francë.
Drejtori i Përgjithshëm i Sanofit, Paul Hudson shkaktoi pakënaqësi me deklaratat se qeveria amerikane “kishte të drejtën për numrin më të madh të porosive sepse po investon duke marrë përsipër rreziqe”. Kryeministri francez Edouard Philippe u përgjigj duke thënë se të gjithë kanë të drejta të njëjta qasjeje ndaj vaksinës.
“Siç e ka thënë dhe presidenti Macron, një vaksinë kundër Covid-19 duhet të jetë një e mirë publike globale. Qasja e barabartë për të gjithë ndaj vaksinës, është e panegociueshme”, deklaroi ai.
Kreu i Sanofit pas kësaj, u zotua për akses të barabartë për të gjithë.
“Dua të jem sa më i qartë me të gjithë: nuk do të ketë avantazhe të caktuara për asnjë vend” , tha Serge Weinberg për televizionin France 2. Ai shtoi se fjalët e Hudson, janë shtrembëruar.
Presidenti francez Emmanuel Macron e ka theksuar se përpjekjet për gjetjen e një vaksine kundër sëmundjes që ka pushtuar globin nuk duhet të jenë subjekt i forcave të tregut. Macron pritet të takohet me krerë të Sanofit javën e ardhshme.
BE-ja insiston se të gjithë duhet të kenë qasje të barabartë ndaj vaksinës, zhvillimi i së cilës është kthyer në prioritet për një sërë laboratoresh anembanë globit.





