Media spanjolle La vanguardia i ka kushtuar një artikull të gjatë qytetit të Durrësit, ku merr në analizë dy goditjet e forta të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit dhe koronavirusi.
“Durrësi, i goditur nga tërmeti dhe Covid-19, shpreson të ringjallet me turizmin”, titullohet shkrimi i medias spanjolle, e cila nënvizon se sektori i turizmit është tani për tani ndër më të dëmtuarit, ndërsa shpresa e qeverisë, operatorëve turistikë dhe bizneseve qëndron në faktin se numri i ulët i infektimeve dhe çmimet e ulta që ofrohen për turistët mund të ngrenë në këmbë sektorin e gjunjëzuar.
“DurrësLajm” publikon më poshtë shkrimin e plotë:
Durrësi, i goditur nga tërmeti dhe Covid-19, shpreson të ringjallet me turizmin
Qyteti bregdetar me numrin më të madh të popullsisë në Shqipëri, Durrësi, i goditur dyfish nga një tërmet shkatërrues dhe pandemia koronavirus, shpreson që situata së shpejti të përmirësohet me ardhjen e turistëve vendas dhe shqiptarëve që jetojnë në vendet fqinje.
Sezoni turistik nuk ka filluar ende, i paralizuar nga pandemia, me plazhet dhe restorantet e mbyllura, pa çadra në rërë dhe me vetëm disa qytetarë që thyejnë izolimin për të shëtitur përgjatë bregut të detit Adriatik.
Përkundër faktit se hotelet janë të hapura, kufizimet në lëvizje dhe mbyllja e bareve dhe restoranteve deri në 18 maj, kanë ulur numrin e klientëve në pothuajse zero.
Mungojnë gjithashtu blerësit dhe shitësit e dyqaneve e “vrasin” kohë duke luajtur domino.
“Nuk po shes asgjë që ku ndodhi tërmeti. Por me koronavirusin është edhe më keq. Ka një mbyllje globale. Bota është në krizë dhe nuk mund të na ndihmojë, siç ndodhi me tërmetin. Kjo krizë po “ha” kursimet tona dhe gjëja më e keqe është se do të na duhet të marrim borxh nëse situata vazhdon kështu”, shprehet i dëshpëruar Enver Masati, pronar i një dyqani suveniresh.
Masati kujton me nostalgji verën e kaluar, kur turistët e shumtë shqiptarë, polakë, çekë, italianë dhe madje spanjollë blinin suvenire në dyqanin e tij.
Punëtorët e ndërtimit shihen në disa ndërtesa duke riparuar çarjet dhe plasaritjet ende të dukshme në shumë fasada pas tërmetit të 26 nëntorit, i cili shkaktoi 51 të vdekur, la të pastrehë 17,000 njerëz si dhe dëmtoi mijëra shtëpi, biznese dhe institucione publike. Restaurimi i dëmeve kërkon një investim prej rreth një miliardë euro.
“Durrësi ka qenë zona më e goditur nga tërmeti për shkak të afërsisë me epiqendrën dhe tani është prekur nga pandemia, sepse është një qytet, përparësia e të cilit është turizmi”, thotë Florian Tahiri, nënkryetar i bashkisë së qytetit antik, dikur një ish-koloni helene, romake dhe bizantine.
Sipas Tahirit, puna po vazhdon puna njëkohësisht për riparimin e dëmeve dhe kompensimin e viktimave të tërmetit. 427 familje ende jetojnë në çadra, ndërsa vëmendje po i kushtohet pastrimit të plazheve dhe krijimit të ekipeve mjekësore për monitorimin e respektimit të masave parandaluese kundër koronavirusit.
“Ne kemi propozuar hapjen e plazheve për 15 qershor, por jemi në pritje të vendimit që ekspertët e Shëndetësisë do të marrin bazuar në ecurinë e situatës”, thotë Ledion Lako, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.
Sipas rregullores së masave kundër koronavirusit, të përgatitur nga kjo Agjenci dhe Ministria e Turizmit, çadrat e plazhit do të vendosen në një distancë prej 3.5 metrash dhe 1.5 metra distancë do të ekzistojë mes tavolinave në restorante. Rregulla të tjera janë ato për garantimin dhe ruajtjen e higjienës personale.
Numri i ulët i të të infektuarve në Shqipëri ka inkurajuar qeverinë, e cila është e sigurt për hapjen e sezonit turistik më herët se vendet e tjera evropiane duke hapur kufijtë tokësorë për shqiptarët që banojnë në Kosovën fqinje, Maqedoninë e Veriut ose Malin e Zi, si dhe për të huajt që përdorin fluturime charter.
Që nga fillimi i pandemisë, Shqipëria ka regjistruar 842 të prekur dhe vetëm 31 vdekje nga Covid-19.
Nga 6.4 milion njerëz që vizituan Shqipërinë në vitin 2019, 80% e tyre i përkisnin “turizmit patriotik”. Të ardhurat nga turizmi janë një burim i rëndësishëm i rritjes ekonomike të vendit, me 2.1 milionë euro si shifër rekord vitin e kaluar.
“Këtë vit presim rezervime në masën 60% nga viti i kaluar. Për momentin, agjensitë e huaja të udhëtimit kanë ndryshuar kontratat, nga të parapaguara në të paguara nga klientët pas mbërritjes”, thotë Blerim Norja, menaxher i Royal Hotel & Spa.
Vitin e kaluar, 104 dhomat e këtij hoteli ishin të rezervuara nga muaji maj deri në tetor me klientë nordikë dhe polakë, të cilët kishin zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e tyre, të tërhequr nga çmimet e ulëta të saj.
Tani, me rreth 100,000 euro të humbura nga anulimet e dy muajve pas tërmetit, shtohet pasiguria për mbërritjen e turistëve për shkak të pandemisë. Ndërkohë, do të bëhen shpenzimet e domosdoshme për t’u përshtatur me masat kundër koronavirusit. Në Durrës, me këto vështirësi përballen pothuajse të gjitha bizneset.





