Që nga fillimi i pandemisë Covid-19 në vendin tonë, porti i Durrësit nuk e ka ndalur punën për asnjë moment. Megjithëse në disa raste me personel më të reduktuar, sidomos javët e para kur masat shtrënguese ishin më të forta, transporti i mallrave me traget apo anije është kryer normalisht dhe pa vonesa. Porti i Durrësit ka qenë gjatë këtyre dy muajve pika kryesore për shkëmbimet e mallrave dhe gjithë proceset e punës janë kryer nën masa të shtuara të sigurisë shëndetësore, për të garantuar shëndetin e qytetarëve dhe transportuesve.

Tani që po diskutohet edhe hapja e kufijve dhe rinisja e lundrimeve me pasagjerë, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu deklaron se e gjitha kjo varet nga dakortësia mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për një datë konkrete. Vengu nënvizon se rikthimi në normalitet nuk nënkupton pakësim të masave mbrojtëse.

“Përsa i përket rikthimit në normalitet dua të theksoj se masat e sigurisë shëndetësore dhe mbrojtjes personale duhet të vazhdojnë për një kohë të gjatë. Kjo mund të sjellë për pasojë kohë më të zgjatur për përpunimin e trageteve, për procedurat doganore, policore etj. Rikthimi në normalitet nuk nënkupton një ulje të masave mbrojtëse, përkundrazi. Rinisja e lëvizjes së pasagjerëve do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet italiane. Dy qeveritë po punojnë për një datë konkrete për udhëtimet me pasagjerë”,- tha Vengu për DurrësLajm.

Fundi i muajit maj, në vitet e kaluara, përkonte përherë me nisjen e fluksit të pasagjerëve në portin më të madh në vend për shkak të kthimit të emigrantëve pranë familjeve të tyre apo për të pushuar në bregdetin shqiptar. Këtë vit ende asgjë nuk është e qartë, por drejtori Vengu shprehet se APD ka gati dy skenarë dhe në javët në vijim priten lajme të mira përsa i përket lëvizjes së qytetarëve.

“Kemi përgatitur dy skenarë që parashikonin masat përkatëse nëse kufijtë do të hapeshin më herët apo nëse për arsye shëndetësore rajonale apo evropiane do të detyroheshim që lëvizjen me pasagjerë ta nisnim më vonë. Të gjitha këto kanë një impakt ekonomik mbi vendin dhe Autoritetin Portual Durrës. Ne jemi gati për të dy skenarët dhe duhet vetëm pak durim, pasi lajme të mira do vijnë në javët në vijim”,- deklaroi Vengu.

Në këto dy muaj, porti i Durrësit ka qenë një prej institucioneve që është përballur që në krye të herës me situatën e pandemisë. Të gjitha institucionet APD, Kapiteneri, Drejtori e Përgjithshme Detare, Doganë dhe Polici Kufitare kanë qenë në krye të detyrës për të garantuar në çdo moment transportin e mallrave, por edhe për të realizuar riatdhesimet e shtetasve italianë apo ekuipazheve detare shqiptare dhe rajonale.

M.B.