Personi që shikoni në foto, hipur mbi mjetin ‘G Class”, është Arjol Halilaj, 29-vjeçari nga Skrapari dhe banues në Durrës, i akuzuar si bashkëpunëtor në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, shtetasit Aleksandër Laho dhe shoferit Andi Maloku.
Halilaj deri para shkrirjes së Inspektoriatit ishte me detyre inspektor pyjesh.
Në profilin e tij në rrjetet sociale, Arjol Halilaj ka publikuar disa foto ku në sy bien mjetet luksoze. Ai pozon në foto mbi mjetin “G Class” apo përkrah një tjetër mjeti të llojit “BMW X6”.
Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit e kryer në rrethana cilësuese”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se ky shtetas është bashkëpunëtori kryesor i autorëve të ngjarjes, pasi pas braktisjes së mjetit nga autorët, ky shtetas ka larguar me mjetin e tij autorët e krimit nga vendi ku braktisën mjetin me të cilin kryen krimin.
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur, si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore u bë kapja dhe arrestimi i njërit prej autorëve kryesorë të dyshuar të ngjarjes, konkretisht shtetasi Redian Rraja, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë Krujë.





