Një lagje tërësisht e re, me standardet më të mira për jetesën në komunitet, do të ngrihet mbi gërmadhat e godinave të dëmtuara në “Luginë” të Shijakut, të cilat nisën sot të shemben duke i hapur rrugë procesit të rindërtimit.
I pranishëm ishte dhe Kryeministri Edi Rama gjatë nisjes së procesit të demolimit. Aktualisht ka nisur prishja e 18 pallateve nga 30 të tilla që do të shemben në të gjithë zonën.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se është bërë një punë fantastike, në bashkëpunim me arkitektët, bashkinë e Shijakut dhe ministrin për Rindërtimin, për t’u dhuruar banorëve më të mirën e mundshme sa i përket standardeve të banimit, por jo vetëm. Përfitues të hapësirave të reja, me infrastrukturë moderne do të jenë edhe të gjitha ata, që kanë patur dyqane apo pika të ndryshme shërbimesh.
“Shijaku pati një goditje të fortë dhe të gjithë këto godina banimi kolektive u bënë të pabanueshme. Por njëkohësisht bashkia, kryetari i bashkisë dhe ministri i Rindërtimit, me grupin e arkitektëve italiane dhe shqiptarë kanë bërë një punë fantastike. Çfarë vjen më pas është vërtetë diçka që përndryshe nuk do të imagjinohej dot, një lagje krejt e re, me godina të standardeve më të mira për jetesën komunitare, por jo vetëm kaq, por me shkolla, kopshte e çerdhe të reja, me shërbime krejt të një niveli tjetër. Edhe për ata që kanë pasur dyqane e pika të ndryshme shërbimesh do të përfitohen hapësira të standardeve krejt të tjera.”
Rama tha ndër të tjera se me gjithë këtë transformim, Shijaku do të shndërrohet në një pikë shumë të rëndësishme të turizmit të zonës.
“Pa e ekzagjeruar fare, Shijaku duke patur këtë pozicion, ka qenë gjithmonë i shkëputur nga sezoni turistik, ka qenë si xhep fals, ndërkohë që me këtë transformim do të bëhet një pikë shumë e rëndësishme e turizmit të zonës. Jam i bindur që shumë nga ky transformim do të shkojë në funksion të turizmit dhe të dhënies me qira të hapësirave në dispozicion për turistët gjatë sezonit dhe me rritje të madhe të xhiros për shkak të turizmit. Kemi aprovuar planin dhe tani jemi në process me FSHZH për bllokun e ndërhyrjeve në infrastrukturë që ka një volum goxha të rëndësishëm në gjithë këto zona dhe sigurisht për bllokun e banimeve”, u shpreh Kryeministri Rama.
Më herët gjatë ditës së sotme, kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, gjatë një komunikimi me “DurrësLajm” shpjegoi se ndërkohë vazhdon dhe likuidimi i bonusit të qirasë për të gjitha familjet që janë shpërngulur në banesa me qira.
“Numri total i familjeve që kanë aplikuar për banesa të reja është rreth 2900, ndërsa janë vlerësuar mbi 3400 dosje. Mund të them që Bashkia e Shijakut është një nga më mirat për sa i përket likudimit të bonusit të qirasë dhe të verifikimit të dosjeve”.





