Konflikti, dhuna dhe fatkeqësitë natyrore provokuan vitin e kaluar shpërnguljen e miliona fëmijëve dhe familjarëve të tyre nëpër botë. UNICEF thotë se ata mbeten me të rrezikuarit nga pandemia globale. Raporti i fundit përmend edhe zhvendosjen e mijëra shqiptarëve si pasojë e tërmeteve.
Një numër rekord prej 19 milionë fëmijësh në botë janë shpërngulur nga banesat e tyre, për shkak të konflikteve të armatosura dhe dhunës.
Një raport i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, i publikuar të martën, shtjellon rreziqet dhe sfidat që ata hasin veçanërisht në kohë pandemie si kjo e tanishmja.
Sipas të dhënave, fëmijët e shpërngulur nuk kanë akses te shërbimet më kryesore, duke u ekspozuar ndaj dhunës, shfrytëzimit, abuzimit dhe trafikimit.
Ata gjithashtu janë në rrezikun e rekrutimit me detyrim për punë apo për martesa që në fëmijëri.
“Miliona fëmijë të zhvendosur nëpër botë po mbeten që tani pa kujdes dhe mbrojtje. Me krizat e reja, si pandemia Covid-19, këta fëmijë janë sidomos të rrezikuar. Është e rëndësishme që qeveritë dhe partnerët humanitarë të punojnë së bashku për t’i siguruar shëndet, arsimim dhe mbrojtje,” deklaroi drejtorja ekzekutive e UNICEF-it, Henrieta For.
Në botë, në vitin 2019 një total prej 33 milionë personash u zhvendosën brenda vendeve të tyre.
Për 8,5 milionë veta, shkak i shpërnguljes ishin konflikti dhe dhuna, ndërsa për 25 milionë të tjerë, fatkeqësitë natyrore, si përmbytjet, furtunat apo zjarret.
Mes këtyre të fundit renditen edhe 33 mijë shqiptarët e prekur nga tërmetet e shtatorit dhe ai i 26 nëntorit, që shkatërruan me mijëra banesa dhe rezultuan fatale për jetën e 51 qytetarëve.
Në rang global, shpërnguljet për shkaqe natyrore mbeten problematike kryesisht për vendet e Azisë, Afrikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa konfliktet vijojnë të zhvendosin me miliona persona në Lindjen e Mesme, kryesisht në Siri, dhe nga vendet afrikane e ato të Amerikës Latine.





