Mbyllja e aktivitetit për disa javë me radhë për shkak të pandemisë ka ndikuar negativisht për biznesin në Durrës, i cili pas rihapjes po përballet me mungesë të klientëve.

“Dy-tre ditët e para, xhiroja ka qenë zero. Tani kanë filluar pak lëvizjet, ndonjë gjë e vogël”, thotë Engjellushe Vllamasi, pronare e një dyqani aksesorësh në bulevardin “Dyrrah”.

Ndryshimi i stinës nxjerr në pah një tjetër problematikë me të cilën po përballen këto kohë bizneset, malli i përket sezonit të dimrit dhe kjo bën që ata klientë të paktë që paraqiten të mos gjejnë çfarë kërkojnë.

Butik “Artigli” që tregton veshje të firmës italiane në Durrës gjatë kësaj periudhe po has vështirësi për furnizimin e ri, duke qenë se atë e siguron nga shteti fqinj, Itali, i prekur rëndë nga pandemia.

“Ne e kemi të pamundur të marrim furnizim, se magazinat atje janë të mbyllura”, thotë Bora Domi.

Por edhe nëse ato do të hapen, sërish bizneset nuk e kanë të sigurt nëse do të rifillojë transporti i mallrave italiane me vendin tonë.

“Derisa rruga të hapet, nuk dimë, sesi do veprojmë”,- thotë Vllamasi ndërsa tregon se e e njëjta vështirësi haset edhe të dyqani i saj i aksesorëve.

Mbyllja e detyrueshme e biznesit ka bërë që këta të fundit të shikojnë si mundësi shpëtimi shitjet online, por pavarësisht kësaj, diferenca mbetet e madhe në krahasim me periudhën kur dyqani është hapur.

Të prekur nga masat e qeverisë kundër COVID-19, ato pohojnë se kanë përfituar pagën e luftës ndërsa janë në pritje të këstit të radhës.

G.D.