Kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ditën e martë, në orën 12.00 nisin shembjet tek lagjja “Lugina”, zona më e dëmtuar nga tërmeti me magnitudë 6.4 Rihter, i datës 26 nëntor 2019.

“PREMTIM I MBAJTUR! Rindërtimi i Shijakut po fillon! Të martën në orën 12:00 në lagjen “Lugina”, nis procesi i demolimit nga IKMT. Ky është një premtim i Qeverisë dhe i Kryeministrit Rama për ta shndërruar Shijakun tonë në një qytet model pas Rindërtimit nga dëmtimet që solli tërmeti i 26 Nëntorit.”,- shkruan kryebashkiaku Arbana.

Njëkohësisht, kryetari i bashkisë thotë se pas rindërtimit, Shijaku do të kthehet në një nga zonat më atraktive të Shqipërisë së Mesme, ku prioritet do të jetë sektori i agroturizmit.

“Shijaku që duam shumë shpejt do të jetë një nga zonat me atraktive të Shqipërisë së Mesme. Prioritet do t’i japim veçanërisht sektorit të agroturizmit. Shijaku me 14 fshatrat e tij, ku çdo fshat ka liqen, do të kthehet në destinacion turistik për turistë vendas dhe të huaj.”- shkruan Arbana.

Postimi i plotë: